Është zbardhur ngjarja e rëndë e ndodhur gjatë mbrëmjes së djeshme në qytetin verior të Shkodrës, ku një grua mbeti e plagosur pasi e zuri një plumb ‘qorr’. Burime për Report Tv bëjnë me dije se tre persona janë vënë në pranga pas përplasjes me armë të ndodhur në qendër të qytetit të Shkodrës. Të njëjtat burime bëjnë me dije se në këtë ngjarje janë përfshirë dy grupe të rinj të cilët janë përplasur me armë zjarri në qendër të qytetit rreth orës 20:30 të së mërkurës.
Mësohet se njëri nga grupet e të rinjve (rreth 5 persona) kanë qenë të ulur tek stolat e pedonales ‘Kolë Idremeno’, dhe më pas pranë tyre ka ardhur grupi tjetër i të rinjve na rruga ‘Françeskane’. Sapo të rinjtë kanë parë njëri-tjetrin kanë nxjerrë armët dhe kanë qëlluar duke e kthyer pedonalen në një arenë lufte. Por nga breshëria e plumbave që të rinjtë kanë qëlluar nuk është plagosur asnjëri prej tyre, megjithatë një ‘plumb qorr’ ka kapur 35-vjeçaren e cila po kalonte rastësisht aty së bashku me motrën dhe dy kunetërit e saj. Këta të fundit kanë qenë duke konsumuar një kafe në lokalet e pedonales pasi kishin dalë nga spitali për të marrë disa ilaçe, por rastësisht janë gjendur mes dy ‘zjarreve’. Plumbi 35-vjeçaren e ka kapur në këmbë, ndërsa njëri nga kunetërit e saj ka shpëtuar mrekullisht pasi plumbi i ka përshkruar pantallonat por pa e kapur në trup.
Nga përplasja me armë mes dy grupeve të të rinjve është dëmtuar edhe një mjet tip ‘BMË’ që ndodhej i parkuar në pedonale pasi pronari i saj ndodhej në një palestër aty pranë.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur të paktën 10 gëzhoja plumbash çka tregon se përplasja me armë mes të rinjve ka qenë e ashpër. Nga bizneset janë sekuestruar kamerat e sigurisë ku pas kqyrjes pritet të ketë detaje të reja rreth kësaj ngjarje të rëndë. Në polici janë marrë dëshmitë edhe të personave që ishin në zonë kur ndodhi përplasja e armatosur.
Ndërkohë policia po vijon hetimet për të kapur personat e tjerë që kanë qëlluar me armë. /shqiptarja.com/