Pasi Operacioni Forca e Ligjit i dërgoi një formular për të provuar pasurinë e tij brenda 48 orësh, ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, bën deklarimin e pasurisë.
Avokati i tij Detar Hysi, deklaroi sot se deklarimi i pasurisë është dorëzuar në Drejtorinë e Policisë Tiranë.
Ndërkohë ditën e djeshme, avokati deklaroi se “Lulzim Berisha ka një bar kafe me qira dhe një autobot që shpërndan naftën për anijet. Pronat e të motrës së Lul Berishës i ka kthyer Gjykata e Lartë. Lul Berisha është një qytetar i lirë që respekton ligjet, paguan tatimet. Të gjitha pronat e Lul Berishës kanë kaluar në favor të shtetit me vendim të Gjykatës së Lartë”.
OFL deklaroi këtë të martë se i ka nisur kërkesën me shkrim për deklarimin e burimeve të pasurisë, ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, 49 vjeç, lindur dhe banues në rrugën “Adria”, Durrës, drejtues i një grupi kriminal, autor i veprave penale “Grupi i strukturuar kriminal”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Lulzim Berisha figuron pronar me 40% i një kompanie të hidrokarbureve, pronar i një policie private dhe bashkëpronar i një kompanie tjetër.
Berisha, në vitin 2012 është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe në vitin 2016 Gjykata e Apelit Durrës ka vendosur lirimin e tij me kusht. Si subjekt i Ligjit Special, përgjigja me shkrim duhet dhënë brenda 48 orësh, ndaj të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, i cili brenda jo më shumë se 15 ditësh, duhet të vlerësojë dosjen e përgatitur nga OFL-ja mbi aktivitetin kriminal të këtyre subjekteve, si edhe pasurinë e tyre.
Sapo të bëjë këtë vlerësim, SPAK-u duhet t’i kërkojë Gjykatës Speciale masën e sekuestrimit për pasuritë e subjekteve dhe pas sekuestrimit, në jo më shumë se 6 muaj Gjykata Speciale duhet të vendosë për konfiskimin përfundimtar të tyre.
g.kosovari