Partia Demokratike i shpall “luftë” të hapur televizionit Klan, me të cilin bashkëpunoi shumë vite kur ishte në pushtet.
Me anë të një reagimi, kjo parti shpreh keqardhjen e thellë për keqinformimin që redaksia e televizionit i bëri dje publikimit të disa lejeve të ndërtimit të dhëna nga kryeministri Edi Rama.
“Censurimi i deklaratave të opozitës kompromenton rëndë integritetin dhe besueshmërinë e mediave dhe është treguesi më i vërtetë i gjendjes dramatike të lirisë së medias në regjimin e korruptuar dhe oligarkik të Edi Ramës dhe klientelës së tij”, thuhet në reagim.
Partia Demokratike i kërkon TV Klan dhe mediave të lira në vend që të pasqyrojnë pa censurë komunikatat e saj.
Më tej sqarohen veprimet e Bashkisë së Tiranës për vitin 2014 në lidhje me kërkesat për leje ndërtimi në kryeqytet, periudhë kur qeveria kishte bllokuar për të gjitha njësitë vendore dhënien e lejeve të tilla.
“Letra të cilën i referohet nuk është asgjë tjetër vetëm kalimi i kërkesave të bëra nga Shoqata e Ndërtuesve për leje zhvillimore Ministrisë së Zhvillimit Urban.
Kjo pasi me datë 22.08.2014 Edi Rama bllokon miratimin e PDV dhe lejeve, nga organet e pushtetit vendor në të gjithë territorin.
Në këto kushte Bashkia i kalon 30 kërkesat e Shoqatës së Ndërtuesve, Qeverisë.
Asnjëra prej këtyre kërkesave nuk është marrë në shqyrtim dhe aq më pak miratuar nga Bashkia e Tiranës”, sqaron më tej Partia Demokratike.
TEMA