Tom Doshi ka paditur kreun e komisionit parlamentar të Sigurisë, deputetin e LSI Spartak Braho në lidhje me letrën që ky i fundit i dërgoi zyrtarëve më të lartë të politikës dhe drejtësisë, ku thuhej se po përgatitej një skenar destabilizimi politik nga ana e Doshit dhe ish ministrit Dritan Prifti.
Pavarësisht se në atë kohë, prokuroria i nisi hetimet e më pas konkludoi se nuk kishte të dhëna për pretendimet e Brahos, kësaj here ka qenë ish deputeti socialist Doshi i cili ka paditur kreun e komisionit të sigurisë. Tom Doshi ka paditur Brahon për shpërdorim detyre dhe përhapje paniku.
Avokati i Doshit, Vladimir Meçi tha se pavarësisht mbylljes së hetimeve nga ana e Prokurorisë me argumentin se nuk kishte elementë të veprës penale, cështja duhet të vihet përballë drejtësisë.
“I kemi kërkuar sqarime prokurorisë pasi deputeti ka qenë i gatshëm të japë sqarimet dhe deklarimet e tij, nuk na është dhënë asnjë sqarim nga ana e prokurorisë, ndërkohë letra ka nxitur veprimin e institucioneve të shtetit. Për këtë arsye deputeti ka depozituar një kallëzim për shpërdorim detyre dhe për përhapje të panikut, ndaj autorit të letrës. Prokuroria nuk na e ka vënë në dispozicion letrën, e kemi siguruar nga media”, – u shpreh avokati Meçi.
Në një letër dërguar krerëve më të lartë të shtetit, deputeti i LSI-së Spartak Braho fliste për një plan destabiliteti politik në vend të thurur nga Doshi dhe Prifi.
Kjo nuk është hera e parë që deputeti Doshi kallëzon kolegun Braho. Pak kohë më parë Doshi paditi kreun e Komisionit te Sigurisë për shpifje ku kërkoi 1 lek dëmshpërblim. Braho e akuzoi publikisht se Doshin ka falsifikuar raportin-mjekësor me të cilin justifikoi mungesën në mbledhjen e Këshillit të Mandateve që do shqyrtonte kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e tij, 3 muaj më parë….Kërkesë e cila u bë nga prokuroria pas hetimit ndaj Tom Doshit për një kallëzim të rremë, ku vetë Doshi denoncoi publikisht se kreu i parlamentit Ilir Meta kish paguar vrasës me pagesë për eliminimin e tij.