Në seancën plenare në Kuvend u zhvillua interpelanca me ministrin Blendi Klosi për dëmtimet serioze të sipërfaqeve të mëdha pyjore halore nga procesionarja (insekt).
Sipas deputetit të opozitës Ligoraq Karamelo, procesionarja ka tharë me mijëra pisha dhe rrezikon mijëra të tjera.
Nga foltorja e Kuvendit, Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi tha se kjo sëmundje ka prekur në Shqipëri 150 mijë hektarë pyje. Megjithatë, tregoi se ka tre rrugë për ta luftuar, duke theksuar se më efikasja është prodhimi i insektit që e vret dhe e eliminon atë fenomen. Pikërisht për këtë insekt, institucionet shqiptare po bashkëpunojnë me Turqinë për të sjellë për të luftuar në muajt e pranverës.
“Pronarë të pyjeve janë bashkitë, vetëm 16% u takojnë AZM-ve. Ky është problem i pronarit të pyjeve, por ka të bëjë me menaxhimin se konsideron si lopë për t’u mjelë vetëm për dru. Sot pyjet janë nën pushtetin lokal por vetëm për të ngrohur popullatën. Por duhet ti largohemi këtij fenomeni, ngrohjes me dru. Sektori ka nevojë për mirëmbajtje. Rikthehemi te procesionarja. Në 1960 ka hyrë si sëmundje në Shqipëri. Ky fenomen nuk është shqiptar, nuk është që ndodh vetëm te ne, por janë të infektuara me këtë të gjitha zonat e rajonit. Duhet ta kemi të qartë, që kjo është një situatë e cila vazhdon dhe ka një cikël biologjik që po e kurojmë. Ka tre mënyrë për ta evidentuar këtë problem. Sot kemi një shfaqje më agresive edhe si pasojë e ngrohjes globale.
Më efikase është luftimi duke prodhuar një insekt që e vret dhe e eliminon atë fenomen. Jemi duke bashkëpunuar me Turqinë për të sjellë këtë insekt për të luftuar këtë fenomen në muajt e pranverës. Vitin tjetër do jetë më pak, por pastaj do të ringjallet pas 5-6 vitesh“, tha Klosi.
Ligoraq Karamelo replikoi duke thënë se ky virus, pra procesionarja, prek alergjikët, gjendja e të cilëve nëse acarohet mund të verbojë njerëzit.
Por Klosi qetësoi deputetin duke thënë se pyjet në pranverë do të jenë sërish të gjelbra, pasi kjo sëmundje i dëmton, por nuk i than.
“E vlerësoj të gjithë atë që tha deputeti, e vlerësoj se u tregua shumë i mirë me mua. Problemet e pyjeve janë shumë të mëdha dhe kjo nuk mjafton. Por problemi është ndjekur që në ditën e parë. Është një cikël jete, por nuk do të thotë se kjo të dëmtojë pyetjet. Në pranverë ato pyje do të jenë sërish të gjelbra, nuk do të shuhen masivet. Presim që të vijnë ato larvat nga Turqia” përfundoi ai.
g.kosovari