“Një mik të Shqipërisë dhe shqiptarëve” e ka konsideruar kryeministri Edi Rama, Presidentin e PE-së, David Sassoli, por jo një mik që qëndron symbyllur. Në konferencën e përbashkët për mediat në Tiranë, Rama tha se me z.Sassoli diskutoi për reformat e kryera nga qeveria që ai drejton e në veçanti për paketën Anti-KÇK.
“Sot jam këtu së bashku me Presidentin e PE, David Sassoli i cili përveçse një ndër figurat më të rëndësishme të skenës politike në Bruksel, mund të them se është një mik i kahershëm i Shqipërisë, dhe mbështetës i palëkundur i procesit të zgjerimin e integrimit të plotë të Shqipërisë në BE. Dua të theksoj se ka qënë për disa vite kryetar i grupit të miqve të Shqipërisë në PE, me një kontribut shumë të vyer në përpjekjen për të formësuar një imazh të vërtetë të Shqipërisë duke u munduar në një luftë të vazhdueshme me paragjykime, me ato c’ka jemi mësuar për vite me radhë, të përsëritura nga njerëz që nuk e njohin Shqipërinë, por e përdorin për axhendat e tyre politike.
Kemi diskutuar hapur, është një mik i mirë, por jo symbyllur dhe si mik, ka shprehur gjithë opinionet e tij, pozitive apo kritike, për c’ka kemi bërë e c’duhet të bëjmë. Kemi patur në qendër të diskutimit procesin e integrimit, datat e reja, dhe në funksion të këtij diskutimi, kemi folur në mënyrë shteruese për ligjin special Anti-KÇK. Më vjen mirë që vizita e Presidentit sot përkon me operacionin e parë në terren të forcës së ligjit, që besoj shumë do të përcojë një mesazh të qartë me fakte e jo me fjalë mbi sa seriozë e të vendosur jemi për të ndryshuar rrënjësisht këtë vend”, u shpreh kryeministri Rama. /e.s/