Në dosjen e siguruar nga gazetarja Klodiana Lala për dosjen 339, pjesë e së cilës është edhe laboratori i gjetur në fshatin Brenogë të Hasit, janë zbardhur edhe përgjimet e bisedave telefonike të të pandehurve gjatë ushtrimit të këtij aktiviteti kriminal.
Rezulton se në kohën e marrjes dijeni për gjetjen dhe sekuestrimin e laboratorit dhe lëndës heroinë në Brenogë, Has, nga policia shqiptare, ndërkohë që autorët mësuan për arrestimet e bashkëpunëtorëve të tyre në Shqipëëri, njoftime që morën nëpërmjet mediave, ato kanë bërë menjëherë biseda telefonike me bashkëpunëtorët e tyre në Kosovë duke i vënë në dijeni për faktin dhe shfaqen të shqetësuar se ju kishin dalë emrat, ndërkohë ato porosisin njëri-tjetrin që të bëjnë kujdes, të zhdukin menjëherë kartat e telefonit që kishin në përdorim dhe të merrnin numra të rinj.
Në një prej bisedave një prej të pandehurve Admir Hoxha, i cili mbante nr. e telefonit *******111, komunikon me një tjetër person me numër *******496, të cilit i thotë që t’i anulojnë porosinë nëse nuk është kryer sipas porosisë.
“I thuaj se për një orë e pres tek vendi ku u takuam kur të jem aty do të shkruaj por qeset ti anullojë nëse nuk janë siç i kërkove ”.
Transkriptimi i përgjimit mes numrit *******111 dhe numrit 0699522496, (datë 16.10.2018) sms text: “Po çdo e takosh ai më tha për nesër me taku ”.
Transkriptimi i përgjimit mes numrit *******496 dhe numrit *******111, (datë 16.10.2018)sms text: “Nuk e paske lexuar mesazhin me duket e takova dhe e lamë që do ti sjell vetë në otogar tek alpari e takova krejt rastësisht në orën gjashtë e njëzet sa/po të shkrova ty.
Laboratori i heroinës u zbulua në Brenog të Hasit në kuadër të operacionit “VolVo 4”, në tetor 2018, gjatë të cilit u goditën 4 grupe kriminale.
Ideatori i ndërtimit të një objekti të tillë për përpunimin, jo vetëm të heroinës, por edhe të kokainës, ishte një biznesmen nga Tirana, pronar i hotelit “Ador Resort”, në afërsi të Aeroportit të Rinasit. Nga të dhënat e siguruara nga dosja e Prokurorisë, biznesmeni Admir Hoxha është njeriu që ka udhëhequr ngritjen e këtij laboratori në bashkëpunim me disa anëtarë të arrestuar të grupit kriminal nga Shijaku.
Admir Hoxha ka mbajtur kontakte me shtetasit H. Hoxha dhe Saimir Gjepali nga Shijaku, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike. SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar dosjen me 25 të pandehur për gjykim.