Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka kërkuar informacione sot për situatën në vend dhe masat e marra për koronavirusin e ri që ka sjellë mbi 300 të vdekur në Kinë duke thirrur në interpelancë ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
Balla kërkoi të dinte se si është konceptuar monitorimi në pikat kufitare dhe nëse ka raste të identifikuara në vend. Ai theksoi se çdo rast i çdo shqiptari duhet të jetë në vëmendje.
“Institucioni më i lartë ligjvënës të informohet në mënyrë urgjente për masat e marra nga qeveria në koordinim me OBSH. Çfarë plani masash keni marrë, si është monitorimi në pikat kufitare për të parandaluar çdo rast me këtë virus për të hyrë në Shqipëri? A ka zyrtarisht raste të identifikuara për të qetësuar opinionin publik dhe në fund dua që t’ju falënderoj jo vetëm ju por edhe ambasadën shqiptare në Ankara për koordinimin e mirë për riatdhesimin e pjesshëm do ta quaja, për shkak se një studente shqiptare por mbahet në kontroll shëndetësor në një nga spitalet e Turqisë por të merren masat që studentja të riatdhesohet në Shqipëri.
Çdo rast i çdo shqiptari të kihet në vëmendje sepse përgjegjësia jonë është të kujdesemi për çdo bashkatdhetar shqiptar”, deklaroi Balla. /e.s/