Stadiumi i ri kombëtar ka rezultuar fatsjellës për skuadrën e Tiranës. Bardheblutë kanë regjistruar fitoren e dytë në këtë impiant, ku pas derbit me Partizanin, mposhtën me të njëjtat shifrat, 2-1 Teutën. Një sfidë e fituar me përmbysje kjo brenda pjesës së parë. Lorenco Vila kaloi Teutën në avantazh pas 13 minutash lojë.
Megjithatë, reagimi i Tiranës nuk vonoi dhe Ngoo e Torassa hodhën në tapet durrsakët. Sikur të mos mjaftonte disavantazhi, Teuta mbeti edhe me 10 futbollistë, pas daljes me karton të kuq të Arbër Çyrbja. Me shifrat 2-1 u mbyll gjithë takimi, pavarësisht rasteve nga të dy skuadrat.
Nuk kishte surpriza në Vlorë. Kukësi kryesues mbajti distancën në +1 me Tiranën pas fitores 4-1 ndaj Flamurtarit. Vasil Shkurtaj shënoi një dopietë personale në këtë sfidë, ndërkohë që pokeri u kompletua nga realizimet e Musollit dhe Çemës. Goli i vetëm për kuqezinjtë u shënua nga Jurgen Vrapi.
Pas 20 javëve të para, Kukësi numëron 38 pikë, ndërsa Flamurtari mbyll tabelën me 6 pikë dhe afrohet akoma dhe më shumë me Kategorinë e Parë.
g.kosovari