Kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana u shpreh për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se aktualisht, numri i aplikimeve ka shkuar në 550 për bonus qiraje nga banorët banesat e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti, ku 497 prej tyre përfitojnë edhe statusin si të pastrehë.
Sipas Arbanës, numri total i banesave të dëmtuara nga rënia e tërmetit të 26 nëntorit është 1100, por shumica prej banorëve nuk kanë aplikuar për bonus qiraje për shkak se jetojnë jashtë vendit.
“Aktualisht, në bashkinë e Shijakut kanë aplikuar rreth 550 familje për bonusin e qirasë prej të cilëve 497 prej tyre përfitojnë statusin si të pastrehë mbi bazën e të cilit përfitojnë edhe bonusin e qirasë. Numri total i banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit është 1100, por për shkak se shumica e këtyre familjeve jetojnë jashtë, nuk kanë mundur dot ose nuk e kanë të nevojshme që të aplikojnë për bonusin e qirasë. Me rënien e tërmetit kemi marrë masat për evidentimin e të gjithë banesave të prishura. Kemi rreth 30 pallate të dëmtuara, të nivelit DS4 dhe DS5, kryesisht pjesa më e madhe e tyre janë në lagjen “Lugina””, -u shpreh Arbana.
Ndërkaq, kryetari i bashkisë informoi se “kemi rreth 523 banesa 1 deri në 3 kate të dëmtuara dhe 900 banesa të tjera të dëmtuara në nivelin DS1, DS2, DS3”.
“Me platformën online të aplikimit për programin e rindërtimit, vjen qytetari, aplikon. Sigurisht që ka edhe një akt konstatimi të bërë nga grupet tona të terrenit, vjen aplikon dhe e zgjedh ai se ku është i përfshirë, në programin e rindërtimit apo në programin e granteve. Për ta sqaruar, programi i Rindërtimit ka të bëjë me nivelin e dëmit DS4, DS5. Programi i granteve ka të bëjë me nivelin DS1, DS2, DS3. Pra, familjet që përfitojnë në programin e granteve janë ato familje që e kanë aktin e konstatimit DS1, DS2, DS3”, u shpreh Arbana.
/a.r