Gjendja në Kinë sa vjen dhe rëndohet teksa numri i viktimave nga koronavirusi i ri shkoi në 213 persona. Ndërsa numri i rasteve i të infektuarve është rritur me 2000 brenda 24 orështeksa numërohen mbi 9600 të tillë.
Këto janë shifra alarmante, jo vetëm për Kinën por për të gjithë botën. Organizata Botërore e Shëndetit shpalli ditën e djeshme gjendjen e emergjencës globale dhe u bëri thirrje të gjitha shteteve të marrin masa të rrepta për të parandaluar përhapjen e saj.
Deri tanimë janë konfirmuar me dhjetëra raste në të gjithë botën. Mbrëmjen e djeshme kryeministri Giuseppe Conte deklaroi se u konfirmuan dhe dy rastet e para me koronavirus në Itali.
“Kemi dy raste të konfirmuara të koronavirusit në Itali”. Kështu deklaroi Conte duke shtuar se ata janë dy turistë kinezë, burrë e grua 67 dhe 66 vjeç nga provinca Wuhan.
Kryeministri italian tha më tej se të gjitha masat paraprake tashmë janë marrë: të dy janë izoluar në spitalin Spallanzani në Romë. Trafiku ajror drejt dhe nga Kina u mbyll.
“Nuk e gjetëm veten të papërgatitur, Ministri Speranza sapo ka miratuar një urdhër që mbyll trafikun ajror drejt dhe nga Kina. Ne jemi vendi i parë i BE që miraton një masë të tillë paraprake,” tha Conte.
Të premten është parashikuar mbledhja e Këshillit të Ministrave në të cilën do të merren masa të mëtejshme në mënyrë që të vihen të gjitha strukturat kompetente në dispozicion të urgjencës, përfshirë Mbrojtjen Civile.
/a.r