Nga Lorenc Vangjeli
Vetëm fëmijëria të çon tek e vërteta. Vetëm një fëmijë, larg virusit të hipokrizisë së modës, interesit meskin, llogarisë së aty për atyshme mund të thotë atë çfarë një i rritur e hesht apo e sheh gabim.
Vetëm një fëmijë mund t’i thotë mbretit që është lakuriq, edhe pse zëri i tij shuhet e nuk dëgjohet nga duartrokitjet e burrave që sillen si gra interesi dhe grave që sillen si burra të përdalë.
Vetëm një fëmijë mund të bëjë atë që të rriturit, në luftën e egër për eksistencë, në betejën për çantën e gruas dhe bizhutë e të dashurës, në kompromiset e pafundme për të siguruar ca metra katrorë më shumë apartament, bileta udhëtimi apo qoftë dhe për hir të jetesës në mbijetesë, nuk mundin ta bëjnë edhe kur betohen për dashuri të zjarrtë për atdhe e shqiptari. Janë të dënuar të mos e bëjnë edhe kur dystabanojnë në pista vallëzimi; e bëjnë keq kur shndërrohen në shifra të botës së mbretërve të kozmetikës politike; nuk guxojnë ta bëjnë dhe kur betohen se flasin shqip.
Videoja e një fëmije përtej ish-kufirit shqiptaro-shqiptar që thotë mes lotësh se është shqiptar nga Kosova është më shumë se kryengritje e një shoqërie të dënuar të shohë e pafuqishme shfaqje të shëmtuara marrëzie. Ajo është një ngritje kryeje ndaj të rriturve që bëjnë sikur votojnë dhe të mëdhenjve që bëjnë sikur votohen, por që refuzojnë të kuptojnë ca të vërteta të vogla e të prekshme.
Shqiptari i madh, i vogël nga Kosova në videon që po trallis shqiptarët, në fakt është plani dhe strategjia kombëtare dhe evropiane që nuk kanë mundur ta bëjnë as partitë politike në vend, as qeverisjet, as shoqëria civile apo akademitë shqiptare të shkencave. Ai fëmijë është protesta me pafuqi loti ndaj paaftësisë ulëritëse që bëhet krim kur i jep dhe mer pushtet; paaftësisë për të identifikuar një flamur të njëjtë besimi e orientimi kësaj apo asaj ane të vijës së Morinës.
Ka një bast juridik tani mes kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe kryeministrit të Republikës së Kosovës. Një padi e Ramës kërkon që gjykatësit të shqyrtojnë faktet nëse ai ka bërë plan për të ndarë Kosovën, siç mendon Ramushi dhe nëse bashkë me Thaçin e të tjerë kanë marë miliarda euro në këmbim.
Ramboja do të mbrohet përpara gjykatësve njëlloj siç sulmonte në luftë serbin, për të mos e lënë vëllaun e Vuqiqit që ta quajë gënjeshtar.
Përpara këtij sherri juridik kishte foto ngazëllyese mbi flamur të Ramës me Haradinajn, por edhe luftë për patate, betejë për qumësht, konflikt për miellin e Serbisë e të tjerë, e të tjerë.
Më herët nuk kishte munguar as sherri për futbollin, me lojtarë që zgjedhin Shqipërinë dhe Kosovën dhe që respektivisht janë herë heronj nga njëra anë dhe herë tradhëtarë nga ana tjetër e Morinës.
Secili nga protagonistët e këtyre betejave tragjikomike, pak e kujton se ka qenë një kohë – për të mos u shtyrë më tej – që ndërmjet karvanëve në baltë të refugjatëve të shqiptarëve të Kosovës që iknin me tmerr nga lufta dhe Zotit lart në qiell që ata i luteshin për jetë, fluturonin avionët e NATO-s. Sot e dje, secili, sipas bindjes dhe besimit, mund të thotë se ose Zoti i dëgjoi ato lutje foshnjash në gji nëne, pleqsh që i kishte kursyer vdekja, por jo urrejtja etnike dhe burrash që ju mungonte dhëmbi për të ngrënë plumbin, ose forca e Perëndimit u bë zëdhënëse e mëshirës dhe zemëratës së Perëndisë. Se kush i shpëtoi shqiptarët, Perëndia apo Perëndimi, kjo është zgjedhje individi, por secili individ duhet të pyesë, si u katandis muhabeti që kryeministri i Kosovës të ankohet se paguan tek trau i rrugës së Kombit dhe ministria e jashtme e kësaj ane të Kombit, të shpjegojë se pse çdokush duhet të paguajë në atë rrugë?
Fëmija që qan në video pyet pikërisht për këtë të detaj të thjeshtë: ku po shkojmë?
Eshtë një pyetje që duhet t’i japë përgjigje Rama, i lindur ortodoks, me besim katolik dhe grua muslimane.
Eshtë një pyetje që duhet të rreket t’i gjejë përgjigje edhe durrsaku i lindur në Gllogjan Ramush Haradinaj. Kësaj pyetjeje mund t’i japë përgjigje edhe Albin Kurti me kurrizin e harkuar nga pushteti që ende nuk e ka marë.
Veç e veç, por edhe së bashku, këta burra të pushtetit mund të shkojnë të pyesin në akademitë e shkencave, në aula universitetesh, në studio televizive, në floknaja portalesh a në kaçurrelin e shoqërisë civile; mos të përtojnë të venë t’i lypin një mendje Ismail Kadaresë dhe profesoreshës Luljeta Bozo. Dhe nëse nuk ju jep përgjigje as Pandi Majko, prishtinasi nga Tirana që di më shumë gjëra se mendon edhe ai vetë se di, le të heshtin. Të pranojnë se edhe padituria është krim. Dhe le të pyesin përfundimisht atë fëmijën e mrekullueshëm që qan në video e thotë se është shqiptar nga Kosova. Ta pyesin tani shpejt, sa kohë është fëmijë që thotë të vërtetën, sepse herët a vonë edhe ai do të mësojë të shajë si shoferët shqiptarë në trafik. Dhe me hak e në hak të Perëndisë!