Vijon aksioni për arrestimin e personave të përfshirë në pengmarrjen dhe më pas vrasjen e Jan Prengës. Sipas mediave informative, policia ka arrestuar sot në Kavajë një të afërm të familjes Hajri, pasi akuzohet për veprim e që pengojnë në zbulimin e të vërtetës.
Ka dyshime që ky person, shtetasi me inicailet F.Xh, mund të ketë fshehur sende të viktimës. Kujtojmë se Bajram Hajri, Olsi Turja dhe Elton Hajri janë tre personat të cilët janë arrestuar për pengmarrjen e Jak Prengës, i cili pasi u dhunua barbarisht në Kamëz dy javë më parë, u mor forcërisht me një makinë.
Po ashtu në kërkim është shpallur Leonard Hajri ndërkohë janë nën hetim dhe 6 persona të tjerë si të përfshirë. Bezat tha më herët për “BalkanWeb” se ka dyshime të forta që trupi i pajetë i 49-vjeçarit mund të jetë groposur në territorin e Shijakut. Po ashtu policia ka kontrolluar përgjatë kësaj zone, me qen gjurmues.
Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se pengmarrja e Jan Prengës është urdhëruar nga një grup i strukturuar kriminal, me bazë në Angli, dhe i përbërë kryesisht nga shqiptarë. Burime zyrtare pranë Policisë së Shtetit konfirmojnë faktin se vëllai i Jan Prengës, që jeton në Angli, është kontaktuar nga një grup i fuqishëm që me kamionin e tij të nxjerrë nga Mbretëria e Bashkuar mbi 300 kg kokainë, që mbërrinte nga Amerika Latine.
Nga përgjimet rezulton se ai e ka marrë lëndën narkotike, por nuk e ka dorëzuar në destinacion. Për këtë, mendohet se grupi kriminal ka urdhëruar marrjen peng të vëllait të tij, Jan Prenga, i cili për shkak të torturave të shumta, ka gjetur vdekjen. Nga hetimet rezulton se katër personat e arrestuar janë thjesht ekzekutorët, që kanë dhunuar e zhdukur trupin e Jan Prengës, por urdhri ka ardhur nga një grup i strukturuar me bazë në Angli. /e.s/