Nga Mero Baze
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, duket se janë pranë hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian. Pengesa themelore e cila bllokoi hapjen e negociatave, që ishte qëndrimi francez, I lidhur me arsyet e brendëshme politike të Francës dhe poltikën e Presidentit Macron, duket se po tejkalohet përmes një dokumenti të ri, I cili është një mekanizëm diplomatik, që e bën Francën të ndjehet e përfillur në veton e saj dhe të ketë një interpretim të ri, për Hapjen e Negociatave.
Kancelarja gjermane Angela Merkel, I ka dhënë siguri Kryeministrit shqiptar për vendimin e Këshillit Evropian në Mars. Njësoj ja ka dhënë dhe Maqedonisë së Veriut, e cila është traumatizuar dhe politikisht nga ky bllokim.
Në Tiranë lajmi duket se është pritur me nervozizëm nga disa segmente politike që mbështetën radikalizmin e luftës, vjeshtën që shkoi me qëllim mos hapjen e negociatave.
Ilir Meta postoi për herë të parë një foto të Kancelares Merkel me Edi Ramën, duke bërë si njeri i “informuar” që bëhet fjalë për kushtet e Bundestangut.
Një grup gazetarësh rreth tij, të njohur si partizanë të zjarrëvënies vitin e kaluar, filluan të çmitizojnë rëndësinë e hapjes së negociatave, si diçka që po na e japin kot. Lulzim Basha së paku e ka marrë me qetësi dhe po bën sikur është në anën e atyre që dëshiron të hapen. Dhe mirë bën.
Tani për këto negociatat duhet të biem dakord për një gjë. Duhet të biem dakord se në vjeshtë, nuk na u bllokuan as nga Revolucioni I Qershorit, edhe pse kishte mijëra arsye të na bllokohej prej tij, as nga skandalet kushtetuese të Presidentit që shpalli dy data zgjedhjesh, as nga përgjimet e Bild, as nga diegia e mandateve, as nga bojkoti I zgjedhjeve, dhe as nga kushtet e Bundestangut, të cilat në fakt ishin e vetmja leje për tu hapur negociatat.
Duhet të biem dakord që na u bllokuan nga Franca dhe po na zhbllokohen nga Franca.
Kjo është pak e dhimbshme për këta që bëjnë sikur kanë në dorë negociatat, por duhet ta marrin me qetësi. Nuk I bllokuan dot me luftë dhe jo më tani me paqe.
As Edi Rama nuk I bllokon dot negociatat dhe nëse do, nëse plani I ri I Kancelares Merkel me Këshillin Evropian funksionon. Dhe kjo nuk lidhet me ne por me Evropën.
Por ngaqë herën e parë donin të merrnin flamurin e fitores që gjoja I bllokuan, tani bëjën si të mërzitur se mos hapen.
Merreni lehtë! As atëhere as tani nuk u ka llogaritur askush . Hiqeni nga kalendari I luftës politike bllokimin e hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE, se nuk është më, në dorë të askujt në Tiranë.
Mos planifikoni kot protesta e molotovë mbi parlament në Mars, meqë do merret vendimi. Më shumë se bërët vitin që shkoi nuk mund të bëni.
Ne po bëjmë sikur kemi harruar që u gëzuat, kur na bllokoi Franca, ju bëni sikur po gëzoheni tani që po na I jep. Por mos u sillni sikur keni diçka në dorë.
Për fat të mirë, Evropa nuk u ka marr seriozisht, as si kundërshtarë, as si adhurues të hapjes negociatave. Bile as si opozitarë që u vetsakrifikuat duke djegur mandate, e duke ikur nga zgjedhjet, për këtë gjë. Është një luftë e shkuar dëm . (Tema)