I ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Opinion”, Sali Berisha u pyet nga gazetarët për ngjarjen e “21 Janarit” dhe përgjegjësinë e vrasjes së katër protestuesve paqësorë në mes të bulevardit. Teksa deklaronte se katër të vrarët, “morën atë që merituan” duke demonstruar të njejtin cinizëm dhe përbuzje për jetën njerëzore, Berisha do të përsëriste edhe disa teza të rreme, për të shmangur faktet që provojnë se urdhëruesi i vrasjeve të 21 Janarit është vetë ai. Më poshtë kemi veçuar katër deklaratat e rreme të Berishës, që bien në kundërshti me të gjitha provat e prokurorisë, ekspertëve ndërkombëtarë dhe dëshmitarëve kryesorë që faktojnë se vrasjet e 21 Janarit ishin të qëllimshme dhe të urdhëruara nga Berisha.
1-Berisha: Në 21 Janar, ai që vrau njerëzit në bulevard është Edi Rama. Asnjeri prej tyre nuk është vrarë me urdhër në mënyrë absolute. FAKTI: Përkundër skenarëve që Berisha i ka ndryshuar herë pas here, është ish Presidenti Bamir Topi, ai që dëshmon në librin e tij “Nocturn” se Sali Berisha, duke përdorur Lulzim Bashën si ndërmjetës në 23 janar 2011, i ka kërkuar Topit, në atë kohë President, që të ndikonte tek Kryeprokurorja Ina Rama, që të tërhiqte urdhër-arrestet për zinxhirin komandues të Gardës së Republikës. Por pse nevojitej kjo ndërhyrje? Arrestimi i zinxhirit komandues të Gardës në Prokurori, mund të nxirrte emrat e urdhëruesve kryesorë të vrasjes së protestuesve. Ish presidenti konfirmon se zhdukja e provave synonte fshehjen e të vërtetave të organizimit brenda territorit të Kryeministrisë, nga komunikimet verbale deri tek urdhrat për të hapur zjarr. Në atë kohë, Topi informohej kryeprokurorja, kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe burime të tjera dhe burimet e tij konfirmonin se Sali Berisha diktoi mjekët e Spitalit Ushtarak, që të pohonin versionin e tij se protestuesit ishin vrarë nga afër. Me këtë operacion kriminal, sipas Topit, Berisha po pranonte autorësinë e masakrës në bulevard. “Kjo u vërtetua me zhdukjen e regjistrimeve të kamerave të sigurisë në Kryeministri dhe prishjen e serverit, shenjë e qartë se de facto po pranohej autorësia e masakrës. Hetimet provuan se sapo dolën pamjet lmike të Artan Hoxhës, në këtë kohë janë zhdukur pamjet lmike të kamerave të Kryeministrisë (midis orës 01:30-02:30 të datës 22 janar). Data 22 janar nxori në shesh pikërisht përplasjen e fortë qeveri-prokurori. Informacionet konrmonin faktin se Sali Berisha me strukturat e veta po fshinin të vërtetat e organizimit brenda territorit të Kryeministrisë, komunikimet verbale, urdhrat, deri tek akuzat e ndërsjella të prokurorëve me njerëzit në drejtim të Gardës. Ndonëse nuk ishte prononcuar për këtë situatë kryeministri dirigjonte që gjithçka t’u faturohej njerëzve jashtë gardhit të Kryeministrisë”, shkruan Topi. Sali Berisha dhe Lulzim Basha refuzuan të dorëzojnë gjashtë gardistët e shpallur në kërkim nga Prokuroria, me argumentin se dëmtohej zinxhiri komandues i Gardës. Gardistët u mbajtën në bodrumin e Kryeministrisë dhe u mjekuan aty, për të zhdukur provat dhe për të koordinuar dëshmitë e rreme.
2-Berisha: Protestuesit janë ekzekutuar duke qëlluar në ajër. FAKTI: Pavarësisht se Sali Berisha ndryshoi disa herë versionet për vrasjet, që nga skenari me çadra pistoletë te armët me kalibër të vogël mes protestuesve, një video e publikuar nga gazetari Artan Hoxha provoi se si gardisti brenda oborrit të Kryeministrisë hapte zjarr në drejtim të protestuesve duke lënë të vdekur Ziver Veizin. Ekspertimet e mëvonshme mjekoligjore dhe kriminalistike provuan se tri nga katër viktimat ishin vrarë me plumba të dalë nga armët e komandantit të Gardës Andrea Prendi dhe të komandantit të Grupit Special të Gardës Agim Llupo. Edhe pse vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë i nxori të pafajshëm gardistët për ngjarjen e 21 janarit të viti 2011, kryetari i trupit gjykues, Ervin Metalla, u shpreh se vendimi i dhënë nga Gjykata e Tiranës, që i shpalli të pafajshëm gardistët, është në kundërshtim me ligjin dhe Agim Llupo e Ndrea Prendi janë fajtorë për vrasje. Sipas prokurorëve, ekzistonin prova balistike që provojnë se ish-kreu i Gardës, Prendi vrau Faik Myrtajn sepse copëza e predhës e gjetur në trupin e Myrtaj përkonte me plumbin që ka qëlluar nga pistoleta e Prendit. Ndërsa gardisti Llupo, sipas prokurorisë, vrau protestuesit, Ziver Veizin dhe Hekuran Dedën.
3-Berisha: Ata (protestuesit) kanë gjuajtur me çdo mjet kunder gardistëve. FAKTI: Pamjet filmike të asaj dite treguan se vrasjet e 4 protestuesve ndodhën kur protesta ishte shuar dhe turma po shpërndahej. Video e publikuar nga Artan Hoxha tregon se si Ziver Veizi ekzekutohet duke qëndruar në këmbë përballë kryeministrisë, në bulevard, e jo brenda territorit të kryeministrisë, i paarmatosur. Protesta po mbyllej në momentin kur garda ka qëlluar protestuesit. Në momentin kur është qëlluar pra, nuk kishte asnjë sulm me mjete të forta mbi gardën.
4-Berisha: Ka qëlluar garda në përputhje absolute me ligjin që thotë se nëse goditet ushtari roje, ai gjuan në ajër, nese vazhdon te gjuan në këmbë, nëse vazhdon ende, ushtari të asgjeson. Merre ligjin e bërë nga socialistet lexoje. FAKTI: Pyetja që ngrihet duke parë videot autentike teksa garda hap zjarr ndaj protestuesve që qëndrojnë jashtë, përtej gardhit të kryeminsitrisë është se cili ligj i jep të drejtë gardës të vrasë katër qytetarë të pafajshëm, teksa qëndrojnë në bulevard pa sulmuar me armë apo mjete të forta punonjësit e gardës apo godinën e Kryeministrisë? Një përgjigje që tregon qartë se vrasjet në fakt, ishin të urdhëruara për të demonstruar forcën e kryeministrit, Berisha e dha po vetë dje në Opinion: “Mos e rretho tjetrin, po e rrethove tjetrin, matu mirë. Ndaj edhe ata kanë marrë atë që kanë merituar se Rama i solli ata aty”, tha Ish-Kryeministri. Pra për Berishën, marrja e jetës së qytetarëve të pafajshëm që protestojnë në bulevard është një krim i merituar. Përbuzja që ai i bën viktimave tregon shumë për mentalitetin që i vrau ata: Berisha ndihej i rrethuar, i kërcënuar në pushtetin e tij personal dhe për të provuar forcën, urdhëroi vrasjen e katër njerëzve të pafajshëm. / Lexo.al