Interi, Interi (ujku, ujku)…, por Barcelona (çakalli) bën kërdinë! Kështu mund të paralelizohet situata, që mund të ndodhë me Christian Eriksen. Tërë këto ditë, danezi është parë si blerje e paevitueshme e zikaltërve, por së fundi ka zhvillime të reja. Mësohet se katalanasit mund të ndërhyjnë në operacion dhe t’ia ndryshojnë destinacionin e janarit mesfushorit krijues. Më konkretisht, Barcelona ka kontaktuar Tottenham për ta pyetur rreth situatës së Eriksen, raporton “Sky Sports”.
Mesfushori-sulmues është parë afër bashkimit me Interin, këtë muaj. Raportohet se ai është takuar me presidentin e “Spurs”, Daniel Levy, për ta bindur atë që ta lejojë të bashkohet me zikaltrit e “San Siro”. Interi po vazhdon të shtyjë fort përpara, që ta marrë atë, por tani duket se Barcelona mund t’i fusë “stërkëmbëshin” në këtë rrugë të nisur. Alarmi për Antonio Conte shtohet, duke ditur se nuk ka ende ndonjë marrëveshje midis Tottenham dhe Interit për tarifën përfundimtare të shitjes (blerjes) së Eriksen.
Mbi kushtet personale, dy palët kanë rënë dakord, sipas “Sky” në Itali. Kontrata e Eriksen skadon në fund të sezonit dhe ai është i lirë të negociojë parakontratë me klubet e huaja (jashtë Anglisë), që nga 1 janari. Interi bëri një ofertë të rinovuar prej 11 milionë £, plus bonuse të tjera për danezin, të hënën, por “Spurs” nuk heqin dorë nga kërkesa prej 17 milionë £.
Sidoqoftë, shefi ekzekutiv i zikaltërve, Giuseppe Marotta, është optimist se të dyja klubet mund të bien dakord për një shumë transferimi të Eriksen këtë muaj. Interesimi i Barcelonës për mesfushorin me siguri do t’i përshpejtojë gjërat nga klubi i njohur i Serie A, ndryshe objektivi kryesor i dimrit mund t’i ikë nga dora.
/telesport.al