U pasurua në kurriz të popullit të saj! Është kjo akuza e rëndë e ngritur në Angola, ndaj Isabel Dos Santos, vajza e José Edoardo Dos Santos, Presidentit që drejtoi vendin për 38 vite, duke u pasuruar veten dhe familjen, përtej imagjinatës.
Një gjykatë në Luanda, të Angolës, ka vendosur nën akuzë Isabel, si dhe ka urdhëruar ngrirjen e pasurisë së vajzës së ish-Presidentit Isabel Dos Santos, e cilësuar si gruaja më e pasur në Afrikë.
Sipas Forbes ajo ka një pasur prej mbi 2 miliardë dollarësh… por që të gjitha këto para dyshohet se janë të pista. Qysh prej vitit 2017, kur babai i saj u largua nga detyra, pasi vendin e tij e zuri, Joao Lourencco, për Isabel nisën telashet.
Hetimet për korrupsion ndaj saj nisën në vitin 2018, ndërsa më tej u vu nën hetim edhe në Portugali, teksa jeton në Londër ku është diplomuar në King’s college University dhe ku rezulton me disa prona.
BBC ka shtënë në dorë disa dokumente, me anë të së cilave pretendohet se provohet përfitimi ilegjitim i pasurisë, duke bërë që të thellohen hetimet ndaj saj.
Isabel, është vajza e ish-Presidentit të Angola, i cili drejtoi vendin nga viti 1979 deri në 2017, dhe të gruas së tij të parë Tatiana Kukanova, me origjinë nga Azerbajxhani.
Isabel u njoh me të shoqin në Londër, Sindika Dokolo, një koleksionist nga Kongo, djali i një gruaje daneze dhe një milioneri nga Kinshasa në Kongo. Ata u martuan në vitin 2002 në Lianda, në një festë me 1 mijë të ftuar, e cila kushtoi 4 milionë dollarë.
Me ndihmën e të atit President, Isabel dhe i shoqi morën një sërë tokash, pasuri në naftë, diamante dhe fitime të mëdha në rrjetin e telekomunikacionit, shkruan noa.al.
Ajo mohon çdfo akuzë ndaj saj dhe e cilëson gjithçka si “gjueti shtrigash”, por në media janë publikuar mbi 700 dokumente që provojnë pasurimin e saj në kurriz të popullit afrikan.
Një nga aktivitetet e saj më të dyshimta është zhvilluar në Londër, nëpërmjet një kompanie nafte “Sonangol”, të cilën në vitin 2016, babai ia besoi vajzës. Mirëpo dy muaj më pas u shkarkua nga puna.
Po ashtu BBC pretendon se Dos Santos ka financuar 58 milionë dollarë pagesa të dyshimta, për një kompani konsulence në Dubai me emër “Matter Business Solutions”. Dokumente të tjera hedhin dyshime lidhur me një sërë operacionesh të tjera, ndërkohë që hetimet ndaj saj janë në vijim.
/a.r