Dy ditë më parë një grup studentësh protestuan te Korpusi duke akuzuar qeverinë për mashtrim, pasi sipas tyre nuk ka zbatuar pikat e Paktit për Universitetin, që u premtuan një vit më parë.
Por kryeministri Edi Rama sot ka publikuar një postim ku shprehet se puna vijon në kantieret e Paktit për Universitetin. Së shpejti, thotë Rama do të fillojë edhe gara për Kampusin e Madh të Universitetit të Tiranës.
“Mirëmëngjes nga puna që vijon në kantieret e Paktit për Universitetin, sot Ju uroj një ditë të mbarë me konviktin e vajzave të Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, teksa së shpejti starton gara për Kampusin e Madh të Universitetit të Tiranës” shkruan Rama në postim që e shoqëron me videon.
Para dy ditësh në 22 janar, një vit nga protesta e dhjetorit të kaluar që u mbyll pas miratimit të Paktit për Universitetin disa nga studentët u shprehën se kushtet në konvikte vijojnë që të jenë të njëjtat, sipas tyre mizerabël, Karta e Studentit nuk është adresuar te nevojat që kanë, por për luks, ndërkohë që pakënaqësi shprehën edhe për tarifën e shkollës, bursën, bibliotekën dixhitale dhe cështje të tjera.
/a.r