Të përpiqesh të gjesh ngjashmëri me të kaluarën në politikën amerikane kjo do të ishte pothuajse e kotë. Por ndoshta ia vlen të bësh krahasime me të shkuarën kur është fjala për opinionet e figurave kryesore në gjyqin e ndaj Presidentit Donald Trump në senat.
Një krahasim për të parë ngjashmëritë mund të bëhet përmes citimeve gjatë procesit për shkarkimin e Presidentit demokrat Bill Clinton në vitin1999 dhe procesit të tanishëm ndaj Presidentit republikan Donald Trump.
Në vitin 1999, Presidenti i atëhershëm demokrat Bill Clinton u përball me një hetim për shkarkimin e tij për shkak të marrëdhënieve seksuale me praktikanten e Shtëpisë së Bardhë Monica Lewinsky dhe gënjeshtrat e tij për aferën në dëshmitë nën betim. Presidenti republikan Donald Trump tani po përballet me akuzat për abuzim të pushtetit për shkak të presionit që i ka bërë Ukrainës për të hapur hetime ndaj një rivali politik, dhe për pengim të përpjekjeve të Kongresit për të hetuar veprimet e tij.
Prokurori Starr
Prokurori i pavarur Kenneth Starr drejtoi hetimin e çështjes Clinton-Lewinsky, që çoi në hapjen e procedurave të shkarkimit të Presidentit Clinton, i cili në fund u shfajësua në gjyqin kundër tij në Senat. Dy dekada më parë, disa kritikë e konsideruan hetimin e prokurorit Starr, një kryqëzatë morale me synim shkarkimin e Presidentit Clinton nga detyra.
Në atë kohë, zoti Trump kishte simpati për Presidentin Klinton.
“A mund t’i imagjinoni ato mbrëmje kur ai sapo ishte qortuar ashpër nga ky i çmendur (prokurori) Ken Starr, i cili është tërësisht i çmendur? Është krejt i çmendur”.
Tani, zoti Trump është President në Shtëpinë e Bardhë dhe javën e kaluar, ai e emëroi prokurorin Starr anëtar të ekipit të tij mbrojtës në gjyqin e Senatit.
Votimi me rezultat të ngushtë?
Jerrold Nadler, një nga ligjvënësit kryesorë demokratë që drejtoi hetimet për shkarkimin e Presidentit Trump, do të ndihmojë në ndjekjen penale të çështjes kundër Presidentit Trump si një nga prokurorët e Dhomës së Përfaqësuesve në gjyqin e senatit.
Gjatë procedurave për shkarkimin e Presidentit Clinton, ligjvënësi Nadler tha: “Asnjëherë nuk duhet të ketë një votim të ngushtë ose një shkarkim të mbështetur në mënyrë thelbësore nga një prej partive tona kryesore politike dhe kryesisht ndaj një kundërshtari politik. Një shkarkimi të tillë do t’i mungonte legjitmiteti, do të shkaktonte përçarje dhe zemërim në politikën tonë për vitet pasuese, dhe do të vinte në dyshim vetë legjitimitetin e institucioneve tona politike”.
Në dhjetor, ligjvënësi Nadler kryesoi Komisionin Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve që hartoi dy akuzat kundër Presidentit Trump.
Kur Dhoma e Përfaqësuesve miratoi akuzat për shkarkimin e Presidentit Trump, asnjë ligjvënës republikan nuk votoi në favor të tyre. Akuzat për shkarkimin e Presidentit Trump u miratuan vetëm me votat e demokratëve.
Mbështetja për shkarkimin e Presidentit
Ligjvënësi demokrat i Kalifornisë, Adam Schiff është prokurori kryesor i Dhomës së Përfaqësuesve në gjyqin e Senatit për shkarkimin e Presidentit Trump. Ai shprehu një mendim tjetër për procesin e shkarkimit të Presidentit kur kandidoi për herë të parë në vitin 2000, një vit pasi Presidenti Clinton u lirua nga akuzat.
Kundërshtari republikan i zotit Schiff ishte rival i Presidentit Clinton, ndërsa luhej drama për shkarkimin e Presidentit në Uashington. Fushata e zotit Schiff kritikoi ashpër përpjekjen dy vjeçare të ligjvënësit Jim Rogan për mbështetjen e shkarkimit të Presidentit Clinton nga detyra.
‘Mendim paraprak’
Chuck Schumer, udhëheqës i pakicës demokrat në Senat dhe një kundërshtar kryesor politik i Presidentit Trump, ka kritikuar ashpër kryetarin republikan të Senatit, senatorin Mitch McConnell për koordinimin e strategjisë ligjore për mbrojtjen e Presidentit Trump me avokatët e tij në Shtëpinë e Bardhë.
“Le ta dëgjojë populli amerikan me zë të lartë dhe të qartë,” i tha zoti Schumer Senatit. “Udhëheqësi republikan tha me krenari: ‘Unë nuk jam një jurist i paanshëm. Unë nuk jam aspak i paanshëm për këtë’. “Ky është një pranim tronditës i mendimit partiak”.
Ndërsa senatorët, të cilët do të jenë anëtarë të jurisë, u betuan javën e kaluar, ata u betuan se do të administrojnë “drejtësi të paanshme” në shqyrtimin e çështjes kundër Presidentit Trump.
Dy dekada më parë, ndërsa Presidenti Clintoni u përball me gjyqin për shkarkimin e tij, Schumer tha: “Ne kemi një mendim paraprak.” Ai tha se nuk ishte “si një kuti jurie (në një proces penal) në kuptimin që njerëzit do të na telefonojnë dhe do të lobojnë për ne. Ju nuk mund ta bëni atë me një anëtar të jurisë. Standardi është i ndryshëm. Supozohet të jetë pak gjyqësor dhe pak legjislativ-politik. Kështu ka qenë “.
Hetimi ‘legjitim’
Senatori McConnell, dy dekada më parë i përshkroi akuzat kundër Presidentit Clinton si “të rënda”.
“Hetimi është legjitim dhe konstaton të vërtetën, të vërtetën e plotë dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës së pakualifikuar, të pashmangshme,” tha ai atëherë.
Tani, senatori McConnell po udhëheq luftën kundër thirrjeve të demokratëve për sjellë si dëshmitarë ndihmësit kryesorë të Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë me njohuri për veprimet e zotit Trump në lidhje me Ukrainën.
‘I paaftë për detyrën’
Në valën e fushatës presidenciale të vitit 2016, senatori republikan Lindsey Graham e quajti Presidentin Trump “të çmendur” dhe “të paaftë për detyrën (e Presidentit të vendit)”. Nga ana tjetër, Presidenti Trump e quajti senatorin Graham “një nga qeniet më të paafta njerëzore që kam parë ndonjëherë. ”
Katër vjet më vonë, senatori Graham është një nga mbrojtësit më të fortë të Presidentit Trump në Senat dhe po bën thirrje për lirimin e tij të shpejtë nga akuzat.
Senatori Graham është tallur me procesin e shkarkimit të Presidentit Trump. “Është procesi i parë i shkarkimit në histori ku nuk ka pretendime për një krim të kryer nga presidenti”, tha senatori Graham.
“Gjëja më e mirë për popullin amerikan është t’i japim fund kësaj ndyrësie sa më shpejt të jetë e mundur.”