Avokati i Idajet Beqiri dhe gazetari i Shqiptarja.com Adriatik Doçi komentuan sot në studion e Report Tv mundësinë e hapjes së 21 janarit nga Prokuroria e Posaçme, Anti Korrupsion (SPAK).
Avokati Beqiri u shpreh se SPAK duhet të hapë dosjen e 21 Janarit në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Arsyetimi i Beqirit bazohet tek veprimet e ish-kryeministrit Sali Berisha pas ngjarjes, që nga ndryshimi i alibive të vrasjeve, zhdukja e pamjeve filmike, refuzimi i zbatimit të urdhër-arresteve për zinxhirin komandues të Gardës por edhe mjaft veprimeve të tjera.
Ndërsa shtoi se juristë profesionistë duhet të përgatisin një kallëzim që të firmoset nga familjarët e viktimave të 21 janarit dhe të dorëzohet në SPAK.
“Ajo ngjarje ishte e mirëorganizuar, kriminale. Vrasjet atje ishin shtetërore. I bëri shteti. Mesa ka thënë ish-kryeministri i këtij vendi ai ka marrë përsipër të gjithë këtë krim të organizuar. Dhe ai është koka e atij krimi. Që nga dita e parë dhe deri në fund që tha do të vrisja edhe kryeministrin aktual të shtetit. Ai ka dalë e ka thënë se çfarë ka ngjarë atje. Problem është papërgjegjshmëria e organeve të drejtësisë. Ata ishin snajper. Do t’i vrisnin se s’bën. Me qëllimi e vetëm për ta mbajtur pushtetin. Këto duan 4-5 specialistë të mirëfilltë që të ndërtojnë akuzën siç duhet. Provat i kanë dhe të çojnë çështjen për ta rishikuar në SPAK”, tha avokat Beqiri.
Për gazetarin Adriatik Doçi tre janë hapat që SPAK-u duhet të marrë për të hapur dosjen e 21 Janarit janë tre. Hapi i parë është një kallëzim penal nga familjarët e viktimave, hapi i dytë është që objekt i kallëzimit të jenë edhe ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha, ndërsa hapi i tretë që ngjarje të hetohet në kuadrin e grupit të strukturuar krimi
“Janë tre mënyra për të hapur dosjen e 21 janarit. Së pari është një padi nga familjarët. Së dyti të ngrihet akuzë ndaj subjekteve që janë edhe objekt hetimi nga SPAK. Siç janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha. Janë në listën e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve që janë në kompetencë të SPAK-ut. Dhe së treti që ngjarja të hetohet në kuadrin e grupit të strukturuar krimi duke parë të gjitha veprimet që janë bërë para, gjatë dhe pas 21 janarit”, tha gazetari i Shqiptarja.com.
Ndër të tjera Doçi tha se 8 gjyqtarët që mbyllën 21 janarin sot nuk janë më pjesë e drejtësisë pasi ose janë shkarkuar ose janë vetëlarguar nga frika e Vetingut. Ndërsa shtoi më tej se disa gjyqtarë të Gjykatës së Lartë që mbyllën dosjen e 21 Janarit në 2016, u emëruan nga PD-ja në 2013. Shqiptarja.com