Bashkia e Tiranës do të ketë një “shtëpi të re”. Godina e Bashkisë do të zhvendoset në Bulevardin e Ri të Tiranës, teksa kryebashkiaku Erion Veliaj ka njoftuar çeljen e garës për projekt idenë. Numri një i kryeqytetit ka bërë me dije se kjo ndërtesë e re do të jetë pa gjenerim karboni (carbon neutral) dhe tërësisht e pavarur nga energjia e rrjetit (net-zero energy building).
“Sot, pas 100 vitesh kryeqytet, me sfida, zhvillim dhe histori, Bashkia Tiranë vazhdon traditën e konkurseve të hapura të arkitekturës duke shpallur garën për projekt idenë e dizajnit të Bashkisë së re të Tiranës.
Godina e re do të ngrihet në Bulevardin e Ri të Tiranës, qendrën administrative të kryeqytetit për 100 vitet e ardhshme.
Ftojmë të gjithë arkitektët dhe studiot e projektimit, lokale dhe ndërkombëtare të bëhen pjesë e këtij konkursi për një ndërtesë të re bashkëkohore dhe të përshtatshme për qeverisjen lokale të shekullit të 21-të: pa gjenerim karboni (carbon neutral) dhe tërësisht e pavarur nga energjia e rrjetit (net-zero energy building). #Tirana100 – Bashkia e re – 0 impakt mjedisor
Më shumë informacion mund të gjeni në faqen: competitions.tirana.al! Për aplikimet co*********@ti****.al”, njofton Veliaj. /e.s/