Është djegur gjatë natës një makinë në lagjen “Nënë Tereza” në qytetin e Lezhës. Makina e djegur është në pronësi të Nikoll Prenga i cili është me detyrë gardian në burgun e Shënkollit në Lezhë.
Si pasojë e flakëve makina e gardianit është shkrumbuar totalisht. Deri më tani dyshohet se zjarrvënia është e qëllimshme. Makina tip mercedez benz me targa AA 958 KS ka qenë e parkuar në një rrugë pak metra larg baneses së Prengës.
Efektivi i burgut të Shënkollit ka bërë të ditur se nuk ka konflikte përshkak të detyrës, por e lidh ngjarjen me biznesin e tij, një lokal bar, për të cilin thotë se ka patur probleme pronësie kohët e fundit.
“Është për t’u parë gjithçka. Unë punoj në këtë burg, s’kam asnjë shkak për arsye detyre, por ngelet për t’u parë. Nuk kam asnjë konflikt pune. Kur nuk sheh njeri, dhe nuk ke parë e dëgjuar gjë, si vë dot gishtin kujt…Mund të kemi konflikte të vogla, por jo të mëdha.
Ne kemi një biznes të vogël këtu dhe disa persona janë futur jashtë gjërave ligjore, sa i përket të drejtave pasurore. Ne i kemi paralajmëruar se janë futur gabimisht, pasi kanë marrë kontrata me dokumente false, çështje që ka shkuar dhe në polici”, tha ai.
Në lidhje me ngjarjen policia ka nisur hetimet, por ende nuk është përcaktuar nëse zjarri ka qenë i qëllimshem dhe për këtë pritet ekspertiza e specializuar që do ti bëhet automjetit.
/a.r