Intervistë me ish-shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Uilliam Uoker[1]
Nga Sylë Ukshini
Zoti Uoker, në qershor të vitit të kaluar jeni shkarkuar si shef i Misionit të OSBE-së. Me se merreni ju nga ajo kohë?
Uoker: Punoj si këshilltar i Departamentit për Evropën Juglindore në Ministrinë e Jashtme. Deri më sot jam në pritje të emërimit në detyrë të re. Para se të shkoja në Kosovë, Medlin Ollbrajt më kishte premtuar disa emërime karriere. Unë ende pres që ky premtim do të mbahet.
Dhe për çfarë premtimesh është fjala këtu?
Uoker: Nuk do të ishte e arsyeshme që për këtë të flitet në këtë vend. Unë mund vetëm të them se më me qejf do të qëndroja diku tjetër, sesa në këtë ministri, më mirë do të shkoja në luftë.
Një vit pas fillimit të sulmeve ajrore amerikane kundër Serbisë kjo temë që prej disa javësh është sërish në kryeartikujt e medieve, para së gjithash në Evropë. Duke marrë parasysh të dhënat e reja, a qëndroni pranë konstatimeve tuaja fillestare se më 15 janar 1999 në Reçak ndodhi një masakër mbi civilët e pafajshëm?
Uoker: Absolutisht, unë e di, çfarë kam parë dhe sot jam akoma më i sigurt se atëherë. Një koleg i juaji anglez më ka paralajmëruar para disa muajsh se në Evropë po qarkullon kjo teori revizioniste, e cila ngjarjen e vërtetë dëshiron ta sjellë përsëri në kokë. Fatkeqësisht unë nuk e di se ku buron kjo.
Mirëpo, tani ka të dhëna të shumta kundërshtuese, të cilat hedhin objektivisht poshtë detajet më të rëndësishme të raportit special të OSBE-së, për shembull, dyzet protokollet e autopsisë së ekipit hetimor finlandez nën Helena Ranta. Sipas kësaj, vetëm një viktimë, dhe jo 23, është qëlluar nga “afërsia”. Përse jeni kaq i sigurt në qëndrimin tuaj?
Uoker: Fundja unë nuk isha i vetmi në vendin e ngjarjes dhe në ndërkohë unë pata rastin që të bisedoja me të tjerët, të cilët, po ashtu, ishin aty. Këtu bëjnë pjesë kolegu im anglez dhe zëvendësi gjerman, si dhe banorët e fshatit, një mori gazetarësh dhe, po ashtu, hetuesit finlandezë të mjekësisë ligjore, të cilët vetëm pas shumë ditësh të ekzekutimit bënë obduksionin e kufomave. Të gjithë më kanë konfirmuar se me informacionet e mia OSBE-ja ka hartuar raportin special në mënyrë korrekte dhe të përpiktë.
Mirëpo, tani dokumentet e obduksionit konfirmojnë se nuk ka dëshmi për një skenar ekzekutimi.
Uoker: Në radhë të parë, unë e pranoj: nuk jam mjek i mjekësisë ligjore. Mirëpo, te disa kufoma kisha parë plagë goditëse në tëmth, te disa të tjerë në ballë dhe në pjesën e pasme të kokës. Për të gjykuar se në cilën pjesë të trupit dolën përjashta plumbat, për këtë më mungon kompetenca profesionale. Sidoqoftë, pjesa më e madhe ishin njerëz të moshuar, dhe një gjysmë duzinë prej tyre apo më shumë paraqisnin plagë të këtilla.
Të nesërmen e masakrës UÇK-ja njoftonte se tetë luftëtarë të saj kanë rënë në Reçak. Mirëpo, emrat e tyre nuk paraqiten në Tribunalin për Krime të Luftës. Po të njëjtën ditë UÇK-ja përmendi edhe 22 viktima, mirëpo prej tyre vetëm gjysma do të paraqitet në listën e të vdekurve. Sa të vdekur pati vërtet?
Uoker: Një numër të përpiktë nuk mund dhe nuk dua ta them, ndërkohë shumë hollësi më janë thënë hapur dhe nuk më kujtohen. Unë vetë kam numëruar tetë viktima dhe kam parë një mori kufomash, por nuk mund të them konkretisht. Fundja, nuk e përjashtoj mundësinë që në mesin e viktimave të ketë pasur edhe luftëtarë të UÇK-së. Të paktën unë kam parë vetëm viktima në rroba civile. Mjaft kohë isha në rajon për ta bërë dallimin midis fshatarëve dhe luftëtarëve të UÇK-së, dhe me siguri shumica syresh ishin fshatarë.
Ka spekulime, sipas të cilave UÇK-ja viktimat e veta i ka veshur shpejt e shpejt me rroba civile, në mënyrë që t´i mashtronte mediet.
Uoker: Pati spekulime edhe më të këqija. Madje, disa më akuzuan mua të kem punuar me porosi të CIA-së dhe se kam qenë pjesëmarrës i manovrës mashtruese. Këto teori komploti të gjitha së bashku janë një marrëzi e kulluar. Një shembull: kur unë bëra “debutimin” e dytë dhe një shpurë gazetarësh u ngjitën të nesërmen, më 16 janar, në kodrën e Reçakut, ne kemi parë kufoma të gjymtuara. Disa syresh i kishin pantallonat me urinë, sipas vlerësimit tim, kjo ishte një shenjë e frikës dhe panikut të papërshkrueshëm nga ekzekutimi. Po qe se përputhen këto teori, atëherë ne do të duhet t´i kishim zhveshur kufomat, përsëri t´i vishnim dhe pastaj t´i lagnim me urinë të huaj. Duket se fantazia nuk ka kufij. Kush beson që në mesin e natës në një terren të mbuluar me borë dhe akull dikush ka mundur t’i sabotonte dëshmitë, ai ka humbur arsyen.
Përse në të vërtetë keni shkuar një ditë më vonë në Reçak?
Uoker: Më lejoni ta shpjegoj rrjedhën e ngjarjeve. Në pasditen e 15 marsit komandanti serb na informoi në Prishtinë se “në një vend me emrin Reçak” pas një beteje me UÇK-në janë vrarë 15 kryengritës shqiptarë. Lidhur me këtë OSBE-ja dërgoi një patrullë në Reçak, fshati ishte pothuaj plotësisht i boshatisur. Njerëzit tanë takuan disa gra dhe fëmijë, një person të vrarë si dhe dy të plagosur. Se ata përsëri e lëshuan fshatin ka shumë arsye: e para, rënia e muzgut, për arsye sigurie në errësirë makina u detyrua të largohet përsëri. Po ashtu, ne dëshironim mundësisht një përkujdesje më të shpejtë mjekësore për të plagosurit. Përmasat e vërteta të tragjedisë i kemi parë tek në mëngjesin e të nesërmes. Asnjë banor i Reçakut nuk dinte më 15 janar për masakrën e forcave serbe, ata vetëm në ditën e nesërme e zbuluan këtë dhe më pas na dërguan neve te kodra.
Pra, a është e mundshme që ju ta keni hartuar shumë shpejt raportin special të OSBE-së dhe për këtë arsye ai përmbante mangësi?
Uoker: Unë nuk e kam shkruar raportin, kjo ishte në kompetencë të një sektori të posaçëm.
Mirëpo përmbajtja mbështetet në analizën tuaj.
Uoker: Plotësisht, dhe unë mbetem pranë kësaj. Bëhej fjalë për ekzekutim kolektiv të burrave të paarmatosur. Në këtë kontekst, veç të tjerash, duhet biseduar rreth pikëpamjeve të ndryshme të nocionit “masakër”. Edhe nëse në mesin e viktimave ishin luftëtarët e UÇK-së, sipas mendimit tim, kjo nuk e përjashton aspak ekzekutimin. Edhe luftëtarët e UÇK-së ishin njerëz, të cilëve u është marrë arma dhe pastaj janë viktima të një ekzekutimi, qoftë luftëtarë, qoftë civilë.
Deri në ç´masë e shihni veten si bashkëshkaktar i kampanjës ajrore të NATO-s? A e keni sot ndërgjegjen e pastër?
Uoker: Unë nuk kam probleme me ndërgjegjen. Natyrisht, episodi i Reçakut ishte vendimtar për bombardimet e NATO-s. Por, ju nuk duhet harruar ndërkohë ishin mbajtur bisedimet për paqe në Rambuje. Millosheviqi pati kohë dhe rast t´i jepte një fund paqësor, por ai e lëshoi rastin. Edhe Reçaku nuk ishte kurrsesi një rast i vetëm. Mirëpo, këtë herë bashkësia ndërkombëtare pak orë pas ngjarjes nga dora e parë e pa se çfarë është në gjendje të bëjë Millosheviqi, ky ishte fundi i fundit të shpërthimit.
Çfarë thoni për kritikën se ju si shef i OSBE-së është dashur ta izolonit vendin ku ndodheshin viktimat, me qëllim që të mund të sigurohen mirë dëshmitë?
Uoker: Fatkeqësisht më duhet të pranoj se u bënë lëshime të konsiderueshme, por unë isha i pafuqishëm. Ne nuk kishim autoritet që t´i mbante gazetarët në distancë. Natyrisht kjo e ka komprometuar gjendjen e dëshmive. Çfarë të bëja unë, kur reporteri i televizionit më shtyri të përkulem mbi kufomën me kokë të prerë, për ta shikuar brenda, me qëllim që pastaj të mund të shkëlqejnë fotografitë kryesore?
A nuk erdhi kurrfarë presioni nga Uashingtoni që skenari të dramatizohej një çikë?
Uoker: Jo, as më i vogli presion. Po të më kishte thënë ambasadori Riçard Hollbruk se unë duhej të manipuloja diçka, atëherë me mirësjellje do t´ia bëja atij me dije se unë veproj me kërkesë të OSBE-së dhe jo të qeverisë amerikane.
A keni biseduar nëpërmjet telefonit me Hollbrukun dhe kryekomandantin e NATO-s, gjeneralin Uesli Klark, në ditët pas masakrës? Të dytë ka thënë po, ndërsa ju në një intervistë për BBC-në keni thënë jo.
Uoker: Nuk mund ta pohoj hapur, nuk më kujthet. Mund të ndodhë të jenë zhvilluar biseda.
Pra, si i vlerësoni rrethanat e zëvendësimit tuaj. A ka të bëjë kjo diç me pakënaqësinë e evropianëve dhe rusëve lidhur me mandatin e padefinuar të OSBE-së në Kosovë?
Uoker: Pas përfundimit të luftës ajrore shtrohej pyetja, kush duhej të udhëhiqte në Kosovë. Evropianët argumentonin se ata do të jepnin një kontribut të madh në rindërtimin e saj dhe për këtë arsye ata duhej t´ia jepnin tonin. OSBE-ja sillte argumentin se ajo pati të angazhuar 1 400 njerëz kompetentë dhe synonte ta vazhdonte punën me mandat të pandryshueshëm. Sa i përket intrigave rreth zëvendësimit tim, mund të dyshoj se prapa kësaj qëndron vetëm Bashkimi Evropian (BE). Unë do të qëndroja me dëshirë në Kosovë.
*Marrë nga libri Sylë Ukshini: “Lufta për Kosovën”, Prishtinë, 2008, f. 228-233.
“Berliner Zeitung”, 8. 4. 2000
[1] Uilliam Uoker (William Walker), ish-shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, pjesën më të madhe të biografisë së tij profesionale e absolvoi në Amerikën Latine. Në vitet tetëdhjeta ai ishte ambasador i ShBA-së në El Salvador, pastaj në Bolivi dhe Honduras. Në vitin 1997 drejtoi administratën kalimtare në Sllavoninë Lindore. Ndërkaq, në vitin 1998 emërohet shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.