Hapja e negociatave për Shqipërinë ka qenë kryefjala e politikës që prej dy vitesh.
Mazhoranca nuk nguron t’i japë merita vetes për këtë proces që sipas saj e afron Shqipërinë me familjen europiane.
Por çfarë përfitimesh do të sjellë për qytetarët hapja e negociatave.
Eksperti i çështjes të integrimit, Gledis Gjipali thotë se në terma praktike qytetetarët nuk do të përfitojnë ndonjë akses të shtuar në tregun europian të punës.
“Sa i takon lëvizjes së lirë të personave, që përfshin punësimin në ta, kjo nuk është e mundur të përfshihet gjatë periudhës së negociatave, kjo ndodh pasi vendi antarësohet. Me hapjen e negociatave, nuk mund të ketë asnjë ndikim, asnjë lehtësim më tepër, rregullat janë të mirpërcaktuara sa i takon lëvizjes së lirë, e cila mund të vijë pasi vendi të anëtarësohet, dhe në këtë rast ka kufizime që vendet i vendosin, siç kanë ndodhur me zgjerimet e kaluara, me Rumaninë e Bullgarinë, ku ka pasur një periudhë shtatëvjeçare”, thotë ai.
Edhe lëvizja e mallrave dhe shkëmbimeve tregtare do të ketë kushtëzimet që synojnë të rrisin kontrollin në cilësinë e produkteve si dhe marrëveshjeve mes shteteve në çdo sektor.
“Një rritje e madhe e volumit të mallrave të import-eksporteve, sigurisht që ndikon, bën një konkurencë edhe më të fortë të produkteve vendase, por këtë prodhuesit vendas e kanë ndjerë tashmë, nuk është diçka e re, që do të thotë se ky produkt do të duhet të kalojë në disa laboratorë, disa teste, disa kontrolle që i shtojnë kostot, në fund të fundit do të jetë me i shtrejtë si produkt për konsumatorin, kosto më e lartë për prodhuesin, por nga ana tjetër, ne do të përfitojmë standarde më të larta”, shton ai.
Sektori ku Brukseli do te rrisë monitorimin sipas Gjipalit është edhe dhënia e shërbimeve tek privatët.
“Gjatë negociatave, ne do të kemi një monitorim shumë më të ngushtë nga Bashkimi Evropian, dhe veçanërisht në ato kapituj, që pikërisht prekin këto çështje, koncensionet e prokurimit publik, që lidhen apo edhe stabilitetin makro-ekonomik se sa rritet borxhi publik i një vendi. Në këtë aspekt, edhe Komisioni Evropian, vendos kufizimet e tij apo monitorimin e tij i cili mund të tërheqi vëmëndjen e qeverisë shqiptare për ato element që mund të jenë në shkelje”.
Procesi që do të shoqërojë hapjen e negociatave dhe bisedimet për anëtarësim, sipas Gjepalit do të ketë kosto financiare dhe kërkon burime njerëzore më të trajnuara.
ResPublica