Vendimi i Lulzim Bashës për t’u ulur në tryezën e dialogut me Partinë Socialiste ka ndezur debatet brenda Partisë Demokratike. Ashtu siç u theksua një ditë më parë, vendimi i kryedemokratit Basha për t’u ulur në tryezën e reformës zgjedhore me mazhorancën nuk është kapërdirë dot nga ish-kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit është i vetmi politikan që nuk ka reaguar ende për këtë vendim të marrë nga shefi i demokratëve, ndërsa arsyeja është botërisht e njohur, pasi ish-kryeministri Berisha kërkon që kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij të rrëzohen me dhunë.
Gazeta “Sot” ka mësuar detaje nga katër mbledhjet maratonë që Basha zhvilloi dy ditë më parë në selinë blu, të cilat kanë treguar konfliktet që kanë mbërthyer partinë më të madhe të opozitës.
Zbulohet si Berisha bojkotoi mbledhjet e Bashës
Burime të sigurta i pohuan gazetës se në takimin e liderit demokrat me ish-deputetët e kësaj partie e kanë bojkotuar zoti Berisha dhe rreth dhjetë ish-ligjvënës pranë tij. Mësohet se arsyeja pse ish-kryeministri Berisha bojkotoi këtë mbledhje ishte fakti që Basha ka hequr dorë nga aksioni opozitar dhe sidomos protestat anti-qeveritare, si dhe vendim i të martës, ku PD u ul në tryezën e dialogut me Damian Gjiknurin që përfaqëson mazhorancën. Në këto kushte, mësohet se Berisha ka debatuar me Bashën, duke i kërkuar llogari për këtë ndryshim kursi, ndërsa e ka akuzuar atë se tradhtoi demokratët, pasi ulja në tryezë me shumicën, do të dëmtojë edhe më tepër Partinë Demokratike. Po ashtu, uljen në tryezë me Gjiknurin nuk e kanë toleruar as disa ish-deputetë demokratë, duke qenë se Gjiknuri është një ndër njerëzit më të anatemuar nga opozita. Kështu që, të ndodhur përpara këtij vendim absurd, gazeta mësoi se ish-deputetët dhe ish-lideri demokrat, Sali Berisha kanë bojkotuar mbledhjet e Bashës në shenjë revolte.
Berisha akuza kreu demokrat për tradhti
Por vendimi i Bashës për t’u ulur në tryezën e dialogut me mazhorancën nuk është e vetmja arsye që ka futur në konflikt Berishën me kryedemokratin. Gazeta ka mësuar se sherrit mes tyre i ka hedhur benzinë edhe një deklaratë e bërë nga kryetari i Partisë Demokratike mesditën e së mërkurës, e cila nga ish-kryeministri është marrë si sulm personal. Mësohet se teksa Basha është shprehur se ai u ul në tryezë për të mirën e shqiptarëve dhe jo për revolucionarët, Berisha është ndierë i fyer nga kjo retorikë, pasi indirekt ka qenë sulm për të, duke qenë se ai është i vetmi që bën thirrje për revolta dhe revolucion kundër Ramës. Në këtë kushte, mësohet Berisha ka akuzuar Bashën se me vendimet e fundit ka tradhtuar demokratë, ndërsa është shprehur i bindur se ulja në tryezë me PS-në ishte një “thikë pas shpine” për elektoratin blu. “Mund të rri këtu e të habitem sesi propaganda e Ramës ka arritur në këto nivele apo naiviteti i njerëzve ka arritur në këto nivele, por kjo nuk është detyra ime. Detyra ime është t’ju tregoj fare qartë se teza se “u legjitimua Damian Gjiknuri” është një tezë e dalë direkt nga kancelaria e Edi Ramës dhe e shpërndarë përmes renegatëve dhe patericave të tij, pre e të cilës mund të ketë rënë edhe ndonjë naiv apo ndonjë person që ka pritshmëri jorealiste dhe revolucionare mbi mënyrën sesi duhet të ndryshojë Shqipëria. Shqipëria do të ndryshojë përmes të njëjtave mekanizmave që ndryshon dhe përparon Europa”, deklaroi dy ditë më parë Basha.
Disa krerë degësh debate me Bashën
Ndërkohë, mësohet se Sali Berisha është zëmëruar me Bashën edhe për braktisjen e protestave, ku si shenjë revolte ka ngritur disa prej krerëve të degëve që t’i kërkonin llogari liderit demokrat në mbledhjen e dy ditëve më parë. Mësohet se disa krerë të PD që njihen si mbështetës së Berishës, tejet të inatosur i kanë kërkuar Bashës që të thërrasë një protestë në 20 ose në 22 shkurt, pasi për ta, Rama rrëzohet vetëm përmes protestave dhe revoltave. Por mësohet se Basha ka deklaruar në mbledhje se primare për të nuk janë protesta, duke e lënë si temë të diskutueshme. (Gazeta SOT).
/a.r