Një lituanez, të cilit mediat britanike i referohen si “gangster”, që ka ndihmuar shqiptarët të pajisen me pasaporta për të shkuar në Britaninë e Madhe, u arrestua pasi kishte tetë vjet që ishte në arrati.
Irmantas Zvybas, tani 30 vjeç, udhëtoi në Itali dhe Francë në raste të veçanta për të takuar dy shtetas shqiptarë që ai nuk i njihte. Ai më pas do të kthehej në Mbretërinë e Bashkuar me ta pasi t’iu dorëzonte një pasaportë të ligjshme që i përkiste dikujt tjetër ‘i cili kishte ngjashmëri fizike’ me ta, tha Agjensia Kombëtare e Krimit (NCA).
Udhëtimet në Xhenova dhe Paris ndodhën në vitin 2011, kur Zvybas jetoi në Cheetham Hill, në komunitetin Lituanez të Mançesterit. Gjykata mbretërore dëgjoi në gjyq se atij i ishin dhënë 400 paund për uidhëtimet. Udhëtimi i parë ishte dukshëm i suksesshëm, pasi Zvybas fluturoi për në Xhenova nga aeroporti Stansted më 28 Mars 2011 dhe u kthye të nesërmen.
Pastaj më 21 maj 2011, Zvybas fluturoi nga Liverpooli në Paris dhe u kthye në Mbretërinë e Bashkuar përmes aeroportit Luton, ku u mor në pyetje nga oficerët e kufirit, shkruan “bw”. Burri që kishte udhëtuar me Zvybas pranoi se ishte përpjekur të hynte në MB në mënyrë të paligjshme dhe nuk kishte të drejtë ligjërisht të ishte në vend. Zvybas i kishte shpëtuar drejtësisë në atë kohë e mendonte se nuk do të arrestohej më.
Ai u arrestua në aeroportin e Rigës në Letoni kur po bënte pushime me familjen e tij. Ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arresti europian, lëshuar nëntë vjet më parë. Gjykatësi tha se Zvybas thjesht ishte marrë më vonë me jetën e tij, ishte martuar e bërë baba, ndërsa punonte nëpër Europë, përfshirë edhe Suedinë. Ai u ekstradua përsëri në Mbretërinë e Bashkuar në tetor dhe u dërgua në burg në Strangeuays.
Zvybasit i kanë mbetur vetëm 10 muaj burg, por mendohet se ai thjesht do të ekstradohet për në Lituani, ku do të jetojë tashmë pranë familjes. /e.s/