Nga Ylli Pata
Marrëveshja e re e Partisë Demokratike me mazhorancën në fakt nuk është gjë tjetër veçse ajo që u bë gati në dhjetorin e vitit 2018, kur Lulzim Basha theu bojkotin disa mujor dhe u rikthye në Kuvend, pikërisht pas ndërhyrjeve të ndërkombëtarëve, por që në fillim të 2020-s, siç duket me indikacionet e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe presidentit Ilir Meta, u vendos që të përmbyset tryeza.
Pas reformës në drejtësi, reformës administrative, reforma elektorale do ta kompletonte modernizimin e shtetit shqiptar.
Administrimi i zgjedhjeve jo nga partitë, por nga qytetarë të depolitizuar, është një standard edhe në vendet e rajonit tashmë, ndërkohë që hapja e sistemit zgjedhor dhe zgjidhja e problemit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit do të ishte kryer me kohë.
Por pikërisht përmbysja e tryezës nga opozita, duke kërkuar vetëm një gjë siç kishte bërë me çadrën e 2017-s, pra largimin e qeverisë, duke tentuar të bllokojë sistemin duke dalë nga Kuvendi dhe bojkotuar zgjedhjet, riktheu sërish mbrapsht situatën duke e vonuar në më shumë se një vit.
Edhe tani pas uljes së opozitës në tryezën e reformës zgjedhore, kjo e fundit do të jetë e mangët, pasi nuk preket sistemi, dhe nuk do të trajtohet çështja kyçe, ku gjysma e shqiptarëve, ata që jetojnë jashtë vendit, privohen nga mundësia për të votuar në shtetet ku jetojnë.
Ashtu si reforma në drejtësi që u vonua 2 vjet për shkak të manovrave për ta penguar e pezulluar, edhe shkrimi i rregullave të përbashkëta zgjedhore ka një rrugë me të përpjeta e pengesa deri në miratimin e saj.
Rikthimi në sistem pas një viti tronditës ku publiku u polarizua deri në ekstrem me thirrjet e frikshme për dhunë e luftë civile, është një rikthim në dialektikën normale të një shoqërie që funksionon me institucione.
Thuajse të gjithë që kanë kundërshtuar, revolucionarët e fandaksur nëpër panele, e kanë pritur që do të vijë kjo ditë. Madje edhe ithtarët e dhunës politike nuk e kanë besuar atë si mjet, por ishin pjesë e një propagande për të krijuar frymë popullore që nuk ja arritën.
Dhe nuk kishin si ta bënin këtë, pasi reagimi qoftë edhe i ashpër, bëhet për të arritur një projekt të rëndësishëm dhe jo thjesht një largim qeverie. Ky objektiv është një punë që kryhet vetëm me votë e nuk ka rrugë tjetër. E ka provuar Shqipëria në 30 vjet dhe çdo vend tjetër rrotull nesh. Është sistemi i vetëm që njeh bota me të cilën ne ndërveprojmë.
Mund të imagjinohet lehtë se çfarë mund të ndodhte nëse PD nuk do të digjte sistemin, por që në dhjetorin e 2018-ës, kur ishte edhe kulmi i protestave studentore, të hynte në proces për reformën në zgjedhje. Do të ishte protagoniste në hartim e miratim, duke bërë nxemjet për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, ku mund të fitonte normalisht bashki të rëndësishme, që është edhe përgatitje për të guxuar shumicën në Kuvend. …
TemA