Në fund të nëntorit të vitit 2017, Prokuroria e Tiranës njoftoi me bujë se kishte nisur verifikimet për pagesat ndaj disa kompanive në SHBA, të cilave u ishin paguar pothuajse 1 milion dollarë për lobim në Uashington.
Socialistët akuzuan Lulzim Bashën se përdori disa kompani “offshore” për transferimin e fondeve drejt një kompanie lobimi në SHBA. Çfarë i rëndoi pozitat e Bashës ishte deklarata e lobistit amerikan që i dëshmoi autoriteteve amerikane se 625 000 dollarë ishin paguar nga Partia Demokratike.
11 ditë para zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit, Lulzim Basha do të merrej i pandehur. Dosja u finalizua 6 muaj më pas, kur dolën në pah edhe përplasjet mes grupit hetimor.
Kol Hysenaj, prokurori që nuk pranoi të firmoste dërgimin në gjykatë vetëm me akuzën e falsifikimit, u tërhoq. Dy prokurorët e tjerë, Gjergji Tako dhe Ervin Karanxha, pranuan të dërgojnë në gjykatë dosjen, pa akuzën e pastrimit të parave, mes të cilës fshihej edhe pretendimi i Partisë Socialiste për financim nga Rusia.
Kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Ymeraj, tërhoqi dosjen në zyrën e saj për disa javë, për të vendosur më pas dërgimin në gjykatë. Seancën e parë paraprake, u shënua edhe përplasja e dytë mes prokurorëve. Ervin Karanxha u largua duke u përjashtuar nga gjykimi, Gjergji Tako dhe Kol Hysenaj ishin të ndarë, pasi i pari i qëndroi firmës së tij për dërgimin e dosjes në gjyq, ndërsa i dyti kërkoi shtyrjen e afateve me qëllim marrjen në pyetje të lobistit amerikan.
Qëndrimi i grupit të prokurorëve për çështjen e financimit të lobimit të PD-së përbën një nga rastet më të rralla kur një grup prokurorësh shpërbëhet, duke lënë hetimet në mëshirë të fatit. Në këto kushte, vendimi i gjykatësit Lazer Sallaku u përshëndet nga opozita, por u sulmua më pas nga socialistët, duke shtuar tensionin politik dhe duke krijuar akoma më shumë amulli, në një prej çështjeve më të debatuara nga opinioni publik.(A2)