Vizita tek okulisti i Dritan Dajtit, të dënuarit me 25 vite burg për vrasjen e katër policëve ngjarje e ndodhur në vitin 2009 i ka kushtuar postin drejtorit të Policisë së Burgjeve Bardhyl Kaçorri, drejtorit të IEVP-së Peqin Emin Shpata si dhe shefit të Forcave Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Ferit Mici.
Gjithashtu është shkarkuar nga puna mjeku i të IEVP Peqin, Andi Andoni, ndërsa janë paralajmëruar mjekja e DPB, Ermira Qirinxhi si dhe inspektori i IEVP Peqin, Mefat Shehu.
“Sipas të gjitha të dhënave, është konkluduar qartazi se në shkelje flagrante me ligjin, stafi mjekësor e drejtues në IEVP-në Peqin nuk kanë kryer asnjë proces vlerësimi të kërkesës – në profilin mjekësor dhe operacional të riskut – dhe nuk ka marrë në konsideratë asnjë mundësi për kryerjen e vizitave mjekësore pranë strukturave shëndetësore publike të afërta me institucionin e vuajtjes së dënimit“, shtohet më tej.
Urdhri për këto masa të rrepta ndëshkuese është firmosur nga ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.
Dritan Dajti u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë me akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese të oficerëve të policisë, Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastrit Feskaj gjatë një operacioni policor për kapjen e tij në vitin 2009. Por me vendimin e Apelit të tre gjyqtarëve që i pranuan gjykimin e shkurtuar, rrjedhimisht e shpëtuan atë nga burgimi i përjetshëm, dënimi u ul në 25 vjet heqje lirie.
REAGIMI I PLOTË
Ministria e Drejtësisë, pasi është vënë në dijeni të ngjarjes së bërë mediatike, se më datë 10.01.2020, i dënuari D.Dajti. ishte shoqëruar nga efektivët e Policisë së Burgjeve për të kryer disa vizita mjekësore në poliklinikën e specialiteteve Nr.2 në Tiranë si dhe në një klinikë private në zonën e ish bllokut, ka ngritur dy grupe pune të pavarura për fillimin e hetimit për zbardhjen e ngjarjes.
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve me strukturat e saj të posaçme, kanë hetuar dhe verifikuar të gjitha veprimet e kryera nga zinxhiri i të gjithë strukturave përgjegjëse.
Nga hetimi dhe analizat e pavarura të tërësisë së fakteve dhe provave të kryera nga grupet e hetimit, kanë arritur në të njëjtat rezultate duke konstatuar se strukturat drejtuese dhe të kujdesit shëndetësor në IEVP-në Peqin si dhe strukturat shëndetësore e policore në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, të përfshira në trajtimin e rastit konkret, nuk kanë ndjekur procedurat ligjore dhe rregulloret e brendshme për vlerësimin e kërkesës së të dënuarit për kontrolle mjekësore jashtë institucionit të burgjeve.
Sipas të gjitha të dhënave, është konkluduar qartazi se në shkelje flagrante me ligjin, stafi mjekësor e drejtues në IEVP-në Peqin nuk kanë kryer asnjë proces vlerësimi të kërkesës – në profilin mjekësor dhe operacional të riskut – dhe nuk ka marrë në konsideratë asnjë mundësi për kryerjen e vizitave mjekësore pranë strukturave shëndetësore publike të afërta me institucionin e vuajtjes së dënimit.
Nga hetimi është konkluduar se është shkelur neni 33 i ligjit “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, dhe i nenit 106 të rregullores së përgjithshme të burgjeve parashikohet se të paraburgosurit dhe të dënuarit mund të kërkojnë që të vizitohen, me shpenzimet e tyre, nga një mjek i zgjedhur nga ata. Por kjo kërkesë vlerësohet nga strukturat përkatëse duke vlerësuar mundësitë për marrjen e trajtimit të specializuar të të dënuarit nga spitali i burgjeve dhe organet shtetërore përkatëse të shëndetësisë.
Pavarësisht mundësisë së marrjes së këtij shërbimi në organet shtetërore përkatëse të shëndetësisë duke përfshirë spitalet publike, asnjë nga strukturat përgjegjëse nuk e ka vlerësuar dhe konsideruar kontrollin mjekësor në strukturat publike shëndetësore, por është dhënë aprovimi për kontrollin mjekësor në një klinikë private okulistike.
Drejtori i IEVP Peqin dhe strukturat shëndetësore të këtij burgu, si dhe strukturat shëndetësore në Drejtorinë e përgjithshme të burgjeve, në shkelje flagrante të dispozitave ligjore dhe të Urdhrit nr 7830 datë 31.7.2018 të Drejtorit të Përgjithshëm ‘Mbi Miratimin e Procedurës së sigurisë gjatë shoqërimit dhe transportit të të burgosurve’, nuk kanë kryer procesin e vlerësimit të riskut dhe mundësine e kryerjes së vizitave mjekësore pranë strukturave shëndetësore publike.
Nga strukturat e Policisë së Burgjeve të përfshira në këtë rast, rezulton se nuk është kryer një vlerësim i situatës dhe të riskut, në shkelje flagrante të neni 11 pika 4 të Ligjit për Policinë e Burgjeve, duke mos vlerësuar dhe ndërmarrë masa të përshtatshme (as në procedurë dhe as në përmbajtje) për shoqërimin e të dënuarit jashtë institucionit, e duke sjellë një rrezik potencial për rendin dhe sigurinë, siç parashikohet edhe në urdhrin për shoqërimin e të dënuarve dhe paraburgosurve jashtë institucionit.
Gjithashtu, konstatohet se nga ana policisë së burgjeve dhe drejtuesit e saj nuk është zbatuar Urdhri nr 8925 datë 28.9.2017 “Mbi zbatimin e procedurave gjatë shoqërimit të të dënuarve dhe të paraburgosurve”, në pikën 8 të të cilit përcaktohet se plani i masave për sigurinë gjatë shoqërimit të tyre hartohet nga shefi i sektorit të forcave operacionale në DPB dhe miratohet nga Drejtori i Policisë”.
Nga hetimi është konstatuar se strukturat e Policisë së Burgjeve dhe drejtuesit e saj nuk kanë marrë miratimin e drejtorit të përgjithshëm të Burgjeve duke shkelur rëndë parashikimet e urdhrit Nr. 7830 datë 31.07.2018 “Përgatitja dhe planifikimi i udhëtimit” si dhe “Rregullat dhe masat e sigurisë gjatë shoqërimit në gjykatë dhe qendra spitalore”, në të cilët parashikohet se përveç rasteve të urgjencës, të burgosurit që kanë nevojë për masa të larta sigurie nuk duhet të nxirren jashtë, pa autorizim paraprak të Drejtorit të Përgjithshëm.
Nga strukturat përkatëse të Policisë së Burgjeve dhe drejtuesit e saj, nuk janë zbatuar parashikimet urdhëruese të po këtij urdhri ku parashikohet se “në rastet e shoqërimit të disa të burgosurve të cilët mund të kenë profil të lartë mediatik apo për grupet e presionit, duhet marrë masa të veçanta. Në raste të tilla mund të jetë e nevojshme të reduktohet ekspozimi i tyre në publik dhe mohimi i aksesit të personelit të paautorizuar”.
Në rastin e planifikimit për vizitë të të dënuarit D.Dajti, nga hetimi rezultoi gjithashtu se në planin e masave nuk janë parashikuar masa lidhur me sigurinë e klinikës private dhe nuk është bërë një vlerësim paraprak i lëvizjeve të trupave shoqëruese.
Lëvizja e të dënuarit të sigurisë së lartë nga burgu i Peqinit në qendër të Tiranës (zonën e ish-bllokut), në shkelje të parashikimeve ligjore dhe të gjitha rregullave të mësipërme, përbën cenim të rendit dhe sigurisë publike.
Pas kryerjes së hetimit dhe analizave të kryera nga grupet e hetimit, evidentimit të përgjegjësive të të gjithë strukturave dhe punonjësve të përfshirë, janë marrë këto masa:
1. Lirimin nga detyra të Drejtorit të IEVP-së Peqin, z. Emin Shpata për shkelje të rëndë.
2.Lirimin nga detyra të Drejtorit të Policisë së Burgjeve, z. Bardhyl Kaçorri për shkelje të rëndë.
3.Largim nga puna të mjekut të IEVP Peqin, z. Andi Andoni.
4.Lirim nga detyra të shefit të Forcave Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, z. Ferit Mici.
5.Vërejtje me paralajmërim për mjeken e DPB znj. Ermira Qirinxhi.
6.Vërejtje me paralajmërim për inspektorin e IEVP Peqin, z. Mefat Shehu.
Gjithashtu, Ministria e Drejtësisë bën me dije se nga vlerësimi i kryer edhe i kuadrit ligjor dhe protokollove të zbatimit për rregullimin e të drejtave të personave për shërbim shëndetësor privat dhe në krahasim me aktet ndërkombëtare dhe të drejtat e personave të dënuar, janë konstatuar disa mangësi në normimin e proceseve të tilla.
Për këtë arsye, në përputhje dhe me të drejtat e personave të paraburgosur dhe të dënuar dhe rregullat evropiane për të dënuarit, me qëllim përshtatjen me masat që janë ndërmarrë për forcimin e sigurisë, Ministria e Drejtësisë shpreh vullnetin institucional dhe po ndërmerr të gjitha masat ligjore për rishikimin e procedurave ligjore dhe administrative për forcimin e protokollove të zbatimit dhe vlerësimit të kërkesave që cenojnë sigurinë publike.
g.kosovari