Nga Moikom Zeqo
Më 11 janar të këtij viti sëbashku me një grup konstitucionalistësh dhe juristësh në një veprimtari të shoqatës atdhetare “Mallakastra” të drejtuar nga avokat Idajet Beqiri shtjellova temën për historicitetin e 11 janarit të vitit 1946.
Nga Aristoteli deri te Monteskje shteti ka dy forma: monarki ose republikë.
Brenda nocionit të monarkisë ka një regjistër të tillë si monarki absolutiste, monarki parlamentare etj.
Brenda titullit të republikës ka gjithashtu një shpalosje të tillë si republikë parlamentare, republikë semi-presidenciale dhe republikë presidenciale.
Por ka dhe apelacione të tjera si republikë popullore, republikë socialiste, apo republikë islamike etj.
Të gjitha këto detaje nuk vënë në dyshim faktin e dy formave kryesore që ka shteti në shekuj si monarki dhe republikë.
Shteti shqiptar që u pavarësua më 28 nëntor 1912 nga i ndritshmi Ismail Qemali dhe çeta e tij e atdhetarëve e shpalli Shqipërinë si simbol juridik të mëvetshëm, por dhe si simbol juridik ndërkombëtar.
Përmendja nga Ismail Qemali e përfaqësimit me anë të “pleqësive” nuk e shmang faktin që shteti kishte një formë monarkike.
Mbas konferencës së Londrës më 1913 u njoh shteti i Shqipërisë ndërkombëtarisht (edhe sot jemi Shqipëria londineze), por me copëtimin e tokave shqiptare nga trupi i Shqipërisë amë.
Ndërkombëtarët e njohën Mbretërinë shqiptare me në krye Princ Vidin.
Kjo monarki nuk vazhdoi më shumë se gjashtë muaj.
Më 1920 mblidhet një nga institucionet më të rëndësishme të pavarësisë shqiptare dhe të shtetit, Kongresi i Lushnjës.
Kongresi i Lushnjës më 2020 ka 100 vjetorin e tij. Kongresi i Lushnjës që pati një impakt të madh mbi Luftën e Vlorës më 1920 hapi rrugën dhe krijoi kushtet që në 1923 të bëheshin zgjedhjet parlamentare, pra më 1923 ne kemi parlamentarizmin e parë shqiptar i cili do të përcaktonte edhe formën e shtetit.
Më 1924 pas vrasjes së pabesë të Avni Rustemit nga Ahmet Zogu parlamentarët e Shqipërisë e zgjodhën Fan Nolin si kryeministër. Qeveria e Fan Nolit kishte më tepër një pamje republikane.
Pas gjashtë muajsh me ndihmën e forcave vrangeliste Ahmet Zogu i arratisur në Jugosllavi dhe me përkrahjen e jugosllavëve u rikthye në Tiranë.
Më 1925 Zogu shpalli Republikën Presidenciale, por tre vjet më vonë ai shpalli Monarkinë duke bërë një asgjësim absolut të nocionit të Republikës.
Monarkia e Ahmet Zogut qe forma e shtetit deri më 7 prill 1939 kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste.
Tashmë parlamentarët e Ahmet Zogut e mohuan të tërë mbretin shqiptar dhe bënë një akt të pashembullt në historinë politike të Europës: I dorëzuan kurorën e Gjergj Kanstriot Skënderbeut Viktor Emanuelit III, Mbret i Italisë, Perandor i Etiopisë, por dhe Mbret i Mbretërisë Shqiptare duke mohuar pa asnjë kompromis monarkinë e Mbretit Zog.
Tashmë Shqipëria qe një shtet i pushtuar, çka krijonte substancën e vërtet të vasalitetit të mbretërisë shqiptare që kishte të përbashkët me Italinë të njëjtën ministri të Jashtme dhe ministri të Mbrojtjes.
Pas 8 shtatorit 1943 me Kapitullimin e Italisë Fashiste dhe rrëzimin e Benito Musolinit, Shqipëria u pushtua nga nazistët gjermanë të cilët ruajtën formulën monarkike, por duke krijuar Regjencën.
Edhe kjo në kushtet e pushtimit përbwnte një status të rremë dhe kolaboracionist të shtetit shqiptar.
Më 29 nëntor 1944 antifashistët shqiptarë çliruan Shqipërinë.
Disa muaj më parë Kongresi i Përmetit më 24 maj 1944 krijoi një Qeveri të Përkohshme në aktet e të cilës ndalohej përgjithmonë kthimi i monarkut Ahmet Zogu në Shqipëri. Pra edhe vet monarkia shqiptare.
Por kjo qe e pamjaftueshme nga ana juridike për përcaktimin e titullit të shtetit.
Më 2 dhjetor 1945 u bën zgjedhjet e përgjithshme, nga dolën 82 deputetë që formuan Asamblenë Kushtetuese që u mblodh më 10 janar 1946.
Në punimet e Asamblesë Kushtetuese që u hapën me fjalën e Dr. Omer Nishanit, kishte përfaqësues të shteteve aleate dhe shteteve të tjera evropiane.
Në punimet e kësaj Asambleje mori pjesë Gjeneral Brigade D.E.P Hadgson, përfaqësues i Britanisë së Madhe, zoti Jacobs i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Kolonel Teyssier, i misionit ushtarak francez, si dhe përfaqësues të shteteve të tjera, si dhe një numër i madh i agjencive dhe mediave evropiane që e kanë pasqyruar këtë ngjarje.
Me propozimin e deputetin nga Shkodra, Arif Gjyli forma e shtetit shqiptar u zgjodh Republika.
Ky propozim u miratua nga tërë delegatët, me dy abstenime.
11 janar 1946 u shpall si Dita e Republikës duke patur edhe stemën dhe simbolin heraldik të kësaj feste.
Thashë më sipër që 1925 kemi një shpallje të Republikës Presidenciale nga ana e Ahmet Zogut, por në një parlament ku një pjesë e madhe e deputetëve që kishin qenë me Fan Nolin nuk morën pjesë.
Pastaj vetë Ahmet Zogu e asgjësoi Republikën dhe shpalli Monarkinë.
Ndryshe ndodhi më 11 janar 1946 ku zgjedhjet në Asamblenë Kushtetuese qenë të hapura edhe për faktorin ndërkombëtar.
Shpallja e Republikës së Shqipërisë nuk qe një dukuri e vetmuar në rrafsh evropian.
Dua të citoj këtu historianin e madh britanik Eric Hobsbawm, i cili thotë se në mbarim të Luftës së Dytë Botërore shumë monarki evropiane u shndërruan në Republika dhe festa e Republikës për secilën këto vende, është pikërisht ajo që lidhet me mbarimin e Luftës së Dytë.
Në këtë kuadër është edhe shpallja e Republikës së Shqipërisë.
Le të kujtoj këtu shtetin e afërt Italinë, e cila ka qenë një monarki e dinastisë Savoja.
Veç të tjerave kjo dinasti mbretërore nën trysninë e Musolinit u shndërrua në një monarki fashiste dhe pushtuese.
Por populli italian me anë të një referendumi popullor të vitit 1945 e shpalli Italinë si Republikë, duke ia mohuar kthimin në vend përfundimisht pjesëtarëve të familjes mbretërore Savoja.
Disa nga shtetet rajonale si Bullgaria, Rumania, Jugosllavia e më vonë Greqia që ishin monarki shpallën gjithashtu formën republikane të shtetit dhe secila nga këto shtete ka datën e vetë të Republikës.
Kjo e vërtet historike na bën të mendojmë qartë se ne jemi Republikë, por për arsye të një alergjie politike apo dhe ngërçi juridik nuk e themi që kemi edhe ne si shembujt që thashë më sipër, Ditën e Republikës që është 11 janari 1946.
Çfarë ndodhi pas vitit 1992?
Në të gjitha tekstet që ravizuan Kushtetutën e Shqipërisë thuhet që Shqipëria është Republikë, madje ka dhe një përcaktim Monteskianez që është Republikë Parlamentare.
Duhet thënë që gjatë regjimit komunist edhe Republika e Shqipërisë pati apelacionet si “popullore” si dhe “socialiste”, por kjo nuk e mohon karakterin e Republikës. Që ne nuk jemi monarki e kemi në të gjithë dokumentacionin kushtetues i cili përcakton formën e shtetit si Republikë Parlamentare.
Rëndësia e Republikës si nocion juridik ka dhe forcë prapavepruese çka i ndalon politikanët shqiptarë që me delirin e Ahmet Zogut të kenë kushtet juridike për t’u vetëshpallur si mbret.
Ja pra një fuqi e madhe semantike e termit Republikë.
Konkretisht mund të përfundojmë duke thënë se data e shpalljes së Republikës nuk lidhet me formën e regjimit jo vetëm pas ’46 por dhe sot në vitin 2020.
Fjala vjen republika franceze ka pasur regjime që shpesh nuk përputheshin me njëri-tjetrin, por emri i republikës nuk u zhduk. Nga ana tjetër duhet të dimë se historia e shtetit shqiptar nga 1912 deri më sot ka një karakter juridik formal të pashkëputshëm, pra shteti shqiptar si subjekt i njohur ndërkombëtarisht me simbolin e flamurit kombëtar, ka një histori të pandërprerë pavarësisht formave monopartiake dhe pluraliste.
Është i njëjti shtet i vijimësuar pavarësisht ekseseve politike që janë në përmbajtjen historike të shtetit.
Larg komplekseve të kota dhe pas asnjë kuptim mendoj se me gjakftohtësi se 11 janari 1946 ka jo vetëm historicitetin, por dhe përcaktimin e titullit të shtetit dhe duhet përmendur dhe përkujtuar brenda kalendarit kombëtar. DIta