Nga Artur Ajazi
Ka ditë që nga SHQUP-i dhe selia e boshatisur e LSI, po vijnë klithma falce lidhur me kthimin e ligjit të antishpifjes nga kreu në detyrë i shtetit Ilir Meta. E ndërsa Albana Vokshi deklaron se “kthimi i dy ligjeve të censurës së medias on-line nga Presidenti i Republikës, është një hap i duhur në mbrojtje të fjalës së lirë, është një vendim i drejtë, që një kryeministër normal do ta shikonte si mundësi për t’i tërhequr ligjet antidemokratike”, nga LSI, Monika Kryemadhi e quan “fitore kthimin e ligjit të miratuar” nga burri i saj.
Por ajo që çdo shqiptar i ndjeshëm dhe i mënçur, nuk arrin të kuptojë, është fakti se përse u “dhëmb” kaq shumë miratimi dhe zbatimi i ligjit të antishpifjes, një takëmi si demokratatikasit dhe lësëistët, përse janë kaq të indinjuar ata, përse nuk e duan zbatimin e këtij ligji, përse i tremben ndëshkimit ligjor të atyre që shpifin dhe sajojnë skenare banale prej afro 3 dekadash?
Përse kaq mllef dhe frikë, ndaj një ligji europian, përse kaq duf, ndaj një ligji që e konturon median dhe shoqërinë shqiptare në binarët e një perspektive europiane, duke u ndarë njëherë e mirë nga e kaluara vrastare, nga e shkuara që nuk linte burrë, grua, pleq, plaka dhe fëmijë pa baltosur, për interesa të pushtetit, parave dhe synimeve djallëzore. Si mund të hidhen përpjetë, dhe të mos ndalin sulmet nga “zemërata”, ata që kanë 30 vjet që shpifin, ata që kanë 30 vjet që me shpifje kanë njollosur individë, familje, zyrtarë, qeveritarë, ambasadorë, madje dhe gazetarë, ata që me shpifje kanë bërë karrierë, kanë bërë pasuri, kanë burgosur e denigruar qindra e mijëra njerës ?
Kthimi i ligjit nga kreu i shtetit në detyrë Ilir Meta, nuk është asgjë tjetër veçse një dashakeqësi e kombinuar mes tij, Monikës, Lulzimit dhe Doktorit, apo dhe një përpjekje dështake për tu vetshpallur “hero mediatik”. Ju sulën ligjit të miratuar, duke u përpjekur të marrin në “mbrojtje” fjalën e lirë, atë që e kanë vrarë sapo erdhën në pushtet në 1992 atë, ata që fjalën e lirë e katandisën në lodër zbavitëse dhe të rrezikshme, për të sulmuar, zaptuar dhe denigruar kundërshtarët e tyre politikë. Kthimi i ligjit nga Ilir Meta, mbetet një përpjekje inatçore, e një njeriu që sa ishte në pushtet krah Doktorit, shpifja i dukej flori, duke mbajtur ison e tij, akoma dhe sot. Të shpifësh, nuk do të thotë të thuash të vërtetën, të mbrosh shpifësit, nuk do të thotë se mbron “fjalën e lirë”, të rreshtohesh përkrah shpifësve, nuk do të thotë se je me shumicën, por je me të shkuarën, dhe se ke mbetur peng i saj.
Shpifja në Shqipëri, ka 30 vjet që gradon kopjacët dhe mediokrit, dhe baltos të pafajshmit, ndaj çdo përpjekje për të mbrojtur rikthimin e ligjit nga Meta, nuk është asgjë tjetër veçse avokati ndaj së keqes, që ka ende pushtet të pamerituar.