Pas tre takimeve radhazi asnjë shenjë nga koalicioni qeverisës apo negociatat Kurti- Mustafa. U dukën se palët ishin shumë afër marrëveshjes por pas tyre vetëm Albin Kurti ka pranuar të komentojë.
Kurti dje në mbledhjen e parë me Qendrat e Lëvizjes Vetëvendosje për vitin 2020, dha detaje për takimet me Mustafën ku tha se vullnet kanë për të arritur marrëveshjen, por s’jep garanci, ndërsa tregoi se të enjten VV të enjten i bëri dy propozime të reja LDK-së, që mbetet kjo e fundit t’i kthejë përgjigje pasi të takohet me organet e partisë, por nuk tha se kur mund të jetë takimi i radhës, shkruan Reporteri.net.
Kurti tha se ai është gati të mbyllet derisa të arrihet marrëveshja, por thumboi Mustafën, duke thënë se nuk e di a është i gatshëm të bëjë edhe ai këtë gjë.
“Jam i gatshëm të takohemi përditë, edhe të mbyllemi në ndonjë vend derisa të merremi vesh, por këtë mund ta them për veten, jo për palën tjetër”, tha Kurti.
Arlind Manxhuka, zëdhënës për media i VV-së ka thënë se nuk e di se kur do të mbahet takimi i radhës.
“Jo nuk kam informacione kur do të takohen Kurti e Mustafa”, ka deklaruar Manxhuka.
As nga LDK nuk janë në dijeni se kur mund të mbahet takimi i radhës.
“Nuk kam informata se kur do të takohen”, ka deklaruar shkurt Haxhi Avdyli i cili ka fituar sërish postin e deputetit nga LDK.
Së fundmi është raportuar në media se përveç pozitës së presidentit, pengesë tashmë për arritjen e marrëveshjes mes VV-së e LDK-së është bërë edhe pozita e kryekuvendarit, kjo pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës.
VV insiston se nuk ka kthim mbrapa dhe nuk e shkarkojnë Konjufcën, kurse nga LDK zyrtarë të caktuar kanë thënë se kjo pozitë duhet t’iu takon atyre, ashtu siç ishin dakorduar në fillim.