Nga Irena Beqiraj
Politika post-moderniste njeh një formë të saj e cila quhet “letargjiko-kraci”. Ajo nuk është gjë tjetër veçse martesa e instinktit të fuqishëm të pushtetit, me letargjinë. Një kombinim që u ka shërbyer shumë politikanëve për mbajtjen sa më gjatë të pushtetit.
Ky stil karakterizohet nga një teknikë qeverisëse ku politkëbërësit shmangin gjithmonë e më shumë formëzimin e politikave. Ata nuk veprojnë, ata thjesht reagojnë. Ata nuk parandalojnë, por impenjohen vetëm kur realiteti troket në derë. Të qetë presin derisa një problem i caktuar të perceptohet si urgjent nga publiku edhe menjëherë si “Mesia” lideri ose një nga ministrat e tij gjendet aty për t’i dhënë zgjidhje mundësisht live dhe menjëherë.
Sa më të ashpra të jenë ngjarjet dhe sa më jopropocionale të jetë zhurma krahasuar me rezultatet e pritura, aq më shpejt një lider letargjiko-kratik hyn në histori. Për këtë arsye, letargjiko-kracia, shumë e adaptueshme, nga një kryetar shteti, i cili është gjithmonë në kërkim të ngjarjeve apo mundësive me përmasa historike.
Për të përshkruar politikat që ndiqen në letargjiko-kraci nuk do të ngurroja të përdorja për ilustrim mjekësinë moderne, e cila diferencon mjekësinë kurative nga mjekësia paliative (ose thjesht komfortuese). Mjekësia kurative përfshin trajtimet që kanë si objektiv të drejtpërdrejtë rikthimin plotësisht të shëndetit Ndërsa mjekësia paliative, objektiv kryesor ka lehtësimin e vuajtjeve pa premtuar kurim, e aq më pak shërim.
P.sh, përpjekjet për konsolidim fiskal, fenomeni i përsëritur i krijimit të detyrimeve të prapambetura, premtimi për uljen e borxhit, por qëndrimi në vendnumëro, produktiviteti i ulët, konkurrueshmëria e dobët, edhe aq më keq kthimi në zakonet, veprimet, bashkëpunëtorët dhe gjysmë të vërtetat e vjetra tregojnë qartazi përpjekjet politike gjithnjë e më paliative, të cilat nuk zgjidhin dot problemet strukturore të ekonomisë shqiptare.
Mund të duket paradoks, por edhe pse quhet letargjiko-kraci, mbajtja e pushtetit kërkon të jesh në punë 14 orë në ditë, shtatë ditë në javë, dhe në lëvizje të vazhdueshme në terren. Edhe pse letargjike, ajo kërkon energji të pashoqe në improvizim si dhe në gjetjen e kauzave, të cilat të krijojnë idenë se treni ku kemi hipur lëviz.
Kjo është arsyeja pse modeli letargjiko-kratik i politikëbërjes i ka ofruar publikut një buqetë shprehjesh nga më të çuditshmet si p.sh, paketa ‘Kap Çfarë të Kapësh’; ‘Kanceri i korrupsionit’; ‘Lufta kundër informalitetit’; ‘Qeverisja me njerëzit; do bëjmë më shumë me më pak; etj, etj. Këto krijime pasqyrojnë sikletin themelor të një lideri letargjik, i cili nuk mund të ofrojë asgjë më shumë sesa menaxhimin e krizave kronike. Në letargjiko-kraci shpesh reklama shitet si reformë. Propaganda është i vetmi ilaç komfortues për njerëzit.
Sa më letargjiko-kratik të jetë lideri, aq më shumë publiku orientohet qëllimisht drejt formës dhe jo përmbajtjes.
Lideri letargjiko-kratik është i zellshëm në identifikimin e “armiqve të përparimit të shoqërisë”. Atë nuk e zë gjumi dhe nuk gjen qetësi “në luftën e tij” të vazhdueshme me të këqijat që kërcënojnë vendin, të cilat në më të shumën e rasteve janë vetëm pasoja. Lideri letargjik nuk merret edhe nuk dëshiron të merret me shkakun, i cili në çdo rast është tepër i komplikuar dhe i vështirë për t’u kuptuar edhe kuruar.
Vetëm në letargjiko-kraci, sjellja, veprimet dhe paraqitja e liderit i serviren për interpretim nga vetë lideri publikut, si mjeti më i sofistikuar i tërheqjes së vëmendjes nga problemet e vërteta edhe të heshtura. Lideri letargjik zellshëm e ushqen gjykimin e njerëzve, duke e kanalizuar në drejtime të tjera tepër të parëndësishme (si mënyra e veshjes, komunikimi me njerëzit, glorifikimi vend e pa vend i pozicionit të gruas, këmbët mbi tavolinë gjatë një mbledhjeje tërësisht informale). Në të njëjtën kohë po lideri i injoron tërësisht këto gjykime.
Thënë ndryshe modeli letargjiko-kratik është në thelb pranimi i paaftësisë për të ndryshuar realitetin dhe përqafimi pa mëdyshje i pragmatizmit si e vetmja mënyrë e nënshtrimit ndaj asaj që quhet fuqia e realitetit, duke braktisur idealizmin për ta ndryshuar atë.
Një lider i formëzuar karakterialisht në diktaturën e egër komuniste e di mirë çfarë do të thotë të jetosh nën rrënojat e idealizmit i mospërfillur. Në subkoshiencë kjo jetë të keqmëson se sukses do të thotë t’u shërbesh vetëm qëllimeve të tua dhe se qëllimi justifikon çdo mjet.