Nipi 16-vjecar i bashkëshortit dhe dy shokët e tij kanë pranuar në polici vrasjen e 50-vjeçares Drita Saliaj në Gjerbës të Mallakastrës, dhe kanë shfaqur pendesë. Fqinjët dhe familjarët e viktimës kërkuan dënim të rëndë për tre të rinjtë, të cilët njiheshin si problematikë në zonë.
Gruaja në foto është Drita Saliaj, 50-vjecarja që u vra në mënyrë makabre nga nipi i bashkëshortit dhe dy shokët e tij. Vrasja makabre ndodhi të dielën por u zbulua vetëm të martën me arrestimin e tre të rinjve.
Në polici tre të rinjtë kanë pranuar krimin dhe sipas burimeve kanë shfaqur pendesë.
Madje një burim tha për “Oranews” se nipi 16-vjeçar ka qenë mes personave të familjes që kishin shkuar në polici për të denoncuar zhdukjen e 50-vjeçares.
Por hetuesit kanë vërejtur paqëndrueshmëri në deklarime dhe gjatë marrjes në pyetje e kanë bërë të pranojë vrasjen.
Në shtëpinë ku ndodhi vrasja janë hapur dyert e mortit ndërsa në shtëpinë e familjarit të përfshirë në krim nuk ka asnjë lëvizje.
Nëna e 16-vjeçarit thuhet se është larguar, ndërsa babai i tij prej disa muajsh është në qeli pasi është arrestuar për kultivim droge.
Nga familjarët, 16-vjeçari dhe shokët e tij njiheshin si çuna të këqij dhe përdorues të drogës. /e.s/