Festat e fundvitit janë parë gjithmonë si mundësi për të qëndruar pranë familjarëve, ndaj çdo fundvit jemi mësuar që shumë shqiptarë të larguar prej vitesh jashtë vendit, të rikthehen në atdhe.
Nisur nga të dhënat e përpunuara nga departamenti i kufirit rezultoi se nga data 23 deri në 31 dhjetor ka pasur fluks të shqiptarëve që hynin në territorin shqiptar, ndërsa në ditët e para të janarit ka pasur një fluks të shtuar në dalje të vendit.
Në një intervistë për News24, Drejtori i Kufirit dhe Migracionit, Eduard Merkaj, tha se nga data 30 dhjetor deri në 5 janar nga pikat e kalimit kufitar kanë hyrë 260 mijë shqiptare. Ndërsa, pas datës 31 kanë dalë 220 mijë. Për të përballuar këtë fluks lëvizjeje policia kishte ndërmarrë një plan masash, që shmangu radhët që për shumë vite ishin problem në çdo festa.
Gjatë javës që lamë pas Shqipëria është vizituar edhe nga 80 mijë të huaj, nga të cilët 16 mijë kanë deklaruar në kufi se kanë ardhur për turizëm.
Pavarësisht temperaturave të ulëta të këtyre ditëve serish ka pasur tentativë të emigrantëve të parregullt që vijnë nga vendet në konflikt për të hyrë në Republikën e Shqipërisë. Gjatë kësaj jave, janë kapur 133 emigrantë, nga të cilët 96 kërkuan azil në vendin tonë.
Ky fluks i shtuar i qytetarëve që lëvizin në pikat e kalimit kufitar shpesh shfrytëzohet edhe nga elemente kriminalë për kalimin e lëndëve narkotike apo edhe të mjeteve të vjedhura. Falë kontrollit të policisë këto tentativa dështuan.
Nisur nga fakti që shqiptarët vijojnë të bëhen problem në disa vende europiane, duke thyer afatet e qëndrimit në zonën Shengen apo duke kërkuar azil, Drejtori për Kufirin dhe Migracionin, Eduard Merkaj, ka një apel.