Qeveria ka nisur punën për hartimin e një ligji të ri, i cili për herë të parë do të vendosë përgjegjësitë që kanë të gjithë hallkat që projektojnë, miratojnë dhe zbatojnë ndërtimin e një objekti.
Sipas “klan”, me nismën është duke u marrë drejtpërdrejt zyra e Kryeministrit, dhe pritet që drafti të hyjë në fuqi brenda gjysmës së parë të këtij viti.
Ligji për “Kontrollin dhe dispilinimin e ndërtimit”, do të ndajë detyrat dhe përgjegjësitë që ka ndërtuesi, mbikëqyrësi, personi që bën kolaudimin dhe bashkia, për të evidentuar saktë përgjegjësinë penale në rastet kur godina ka shembje apo dëmtime të tjera, të cilat vijnë si pasoja të mungesës së respektimit të ligjit.
Kritere të forta po hartohen edhe për kompanitë që do të vazhdojnë të operojnë në fushën e ndërtimit, duke i detyruar ato që të respektojnë praktika dhe standarde inxhinierike bashkëkohore.
Nisma për hartimin dhe miratimin e një ligji të tillë, po vjen si pasojë e dëmeve që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit, i cili i morri jetën 51 personave dhe ndërsa shkatërroi qindra pallate e mijëra banesa, duke lënë 12 mijë njerëz të pastrehë. /e.s/