Nga Astrit Patozi
Të gjithë gati po e thonë me zë të lartë se ishte një vit për t’u harruar.
Më entuziastët e pranojnë që ishte i vështirë, por fajin kryesor për këtë ia lënë tërmetit, sepse është e vetmja temë, për të cilën nuk ka kush të replikojë.
Dhe, për ironi, në mesin e kësaj humbjeje të përgjithshme, secili tund në ajër flamurin e fitores së vet të vogël, për të treguar se nuk ka gisht. Dikush e përkthen në shifra, përshembull 85 përqind, ndërsa tjetri tregon me gisht nga Kosova, për të na bindur se ka edhe më keq, ndaj nuk duhet të mërzitemi shumë.
Dhe pastaj hajde ta gjesh se kush na i bëri malore ditët, që i bie se duhet ta kërkojmë fajin në qiell, sepse në tokë nuk e merr njëri përsipër.
Në fakt ishte një vit i keq për Shqipërinë dhe shqiptarët kryesisht prej paudhësive tona. Të cilat gjatë 2019-ës njohën kuota të paarritura më parë. Që do të thotë se e kemi marrë me inat këtë punë, pasi kemi thyer edhe rekordet tona më të zeza. Por më e keqja është se nuk ka asnjë reflektim që të na bëjë të besojmë se kemi përspektivë optimiste përpara.
Megjithëse tërmetet nuk parashikohen, përveç ndonjë përjashtimi guximtar në Tiranë, është më e lehtë të besosh se këtë vit ato nuk do të bien më në Shqipëri, se sa të shpresosh se në 2020-ën diçka do të ndryshojë pozitivisht në lëmin e punëve të shtetit tonë prej kartoni.
Sepse nuk ka asnjë shenjë apo sinjal që të na bëjë të mendojmë se leksionet e hidhura të këtij viti, që po lemë pas, kanë nisur të lexohen siç duhet.
Por kjo nuk duhet të na dekurajojë dhe as të na demotivojë. Secili prej nesh e ka një mundësi, jo thejsht një votë, për t’i kontribuar ndryshimit në Shqipëri. Sepse nuk mjafton të shpresosh dhe ëndërrosh për të arritur synime ambicioze, por duhet të marrësh edhe përgjegjësi.
Unë jam i sigurt se koalicioni i atyre që duan ndryshimin e sistemit tonë të kalbur politik janë shumicë dërrmuese në këtë vend. Kurse ata që po përpiqen me thonj ta ruajnë statuskuonë kanë mbetur pak.
Por kjo shumicë nuk do të numurohet kurrë, në rast se të gjithë ata që nuk e pranojnë sundimin politik të një kaste të korruptuar, do të presin që dikush tjetër ta bëjë punën e tyre.
Ky është një vit kyç për Shqipërinë, sepse do të paraprijë dhe përgatisë zgjedhjet e reja politike, prej të cilave mund edhe të vijë ndryshimi. Nëse do ta lëmë fatin tonë sërish në dorë të atyre, që sot tundin paturpësisht flamurët e rreckosur 30 vjeçarë të shfajësimit, nuk duhet të çuditemi që më e keqja të mos ketë mbërritur akoma.
Dhe mund të gjendemi sërish në fund të vitit tjetër me një bilanc të trishtueshëm, duke u gëzuar vetëm me faktin që po e përcjellim.
A thua se nuk janë vitet tona, por ngaqë na kanë dalë tepër, nuk është se na dhimbsen shumë.
Mendoj se kjo ftesë modeste për t’u shkundur nga përgjumja vlen më shumë se urimi i thatë dhe klasik “Gëzuar Vitin e Ri 2020!”, me të cilin në këtë ditë i shprehin përdëllimin njëri-tjetrit, jo vetëm ata që duhen, por edhe xhelatët me viktimat e tyre.