Nga Alfred Peza
Ka shumë entuziazëm, pritshmëri dhe falsitet në disa raste, kur vjen puna tek urimet individuale të gjithkujt, në orët e hareshme të ndërrimit të viteve kalendarikë. Është një qasje e natyrshme njerëzore, ku më shumë sesa arritjeve të një viti që lihet pas, duket sikur u kërkohet fishekzjarreve që të djegin të këqiat që kaluan dhe të të festohen paradhënie, pritshmëritë e dëshirat për vitin që vjen.
Viti politik 2020 për Shqipërinë, mund të quhet ndryshe edhe viti i përvjetorëve të shënuar. Ato nisin me;
100 vjetorin e Kongresit të Lushnjes.
100 vjetorin e Parlamentarizmit shqiptar.
100 vjetorin e Tiranës, kryeqytet.
100 vjetorin e Bibliotekës Kombëtare.
100 vjetorin e fitores së Luftës së Vlorës.
Këto dhe përvjetorë të tjerë që lidhen me vitin 1920, ishin pasojë e një reaksioni zinxhir zhvillimesh pozitive që shoqëruan përfundimin e Luftës I Botërore, Konferencën e Paqes në Paris dhe vendosjen nga Presidenti Amerikan Willson të themeleve të sistemit liberal botëror. Shqipëria shpëtoi nga planet e copëzimit, duke nisur një cikël të ri krijimi e konsolidimi të institucioneve të reja të një shteti të brishtë dhe përpjekjesh për stabilitet në qeverisjen e vendit.
E si të ishin shënjuar nga një dorë e padukshme e historisë, vitit 2020 është gjithashtu një vit i shënjuar përvjetorësh të tjerë shumë të rëndësishëm, që lidhen me zhvillimet që pasuan rënien e komunizmit në Shqipëri.
Përgjatë vitit të ardhshëm do të kujtohen:
30 vjetori i demonstrimeve të para kundër regjimit komunist në Shkodër, Kavajë e Tiranë.
30 vjetori i lejimit të familjes Popa për tu larguar nga Shqipëria, pasi kishin kërkuar strehimit politik në Ambasadën italiane në Tiranë.
30 vjetori i rënies së “Murit të Berlinit” shqiptar, në 2 korrikun e 1990, ose siç njihet ndryshe edhe hapja e ambasadave të huaja.
30 vjetori i arratisjes së Ismail Kadaresë nga Shqipëria dhe kërkimit të azilit politik në Francë.
30 vjetori i nisjes së protestave masive në Qytetin Studenti që çuan në lejimin e pluralizmit politik dhe rënin pas 45 vitesh të regjimit komunist.
Përtej të gjitha këtyre përkujtimeve të datave dhe momenteve të rëndësishme për historinë e Shqipërisë, viti i ri nuk është një vit elektoral. Por, kjo nuk ia ul aspak rëndësinë që ka në raport me zhvillimet e pritshme politike.
2020 është viti; Kur pritet të përfundojë reforma elektorale; Kur pritet të ngrihen të gjitha institucionet e reja të sistemit të reformuar të drejtësisë; Kur pritet të nisë funksionimin Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) sipas modelit të FBI Amerikane por edhe Gjykata Kushtetutese e Gjykata e Lartë; Kur pritet të përfundojë procesi i nisur nga mazhoranca parlamentare për shkarkimin e Ilir Metës si President i Republikës; Kur pritet të miratohet paketa ligjore e njohur ndryshe si “anti KÇK”.
Mbi të gjitha 2020 është viti kur pritet të nisë zbatimi i planit të madh të rindërtimit dhe elemenimit të të gjitha pasojave që solli tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019, në qarqet e Durrësit, Tiranës dhe Lezhës.
Në pranverë, udhëheqësit e vendeve anëtarë të BE do të diskutojnë sërisht mundësinë për dhënien e datës së çeljes së negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ndërkohë që në planin rajonal, pas krijimit të qeverisë së re në Prishtinë, pritet që të mari udhë të mëtjeshme ideja e “Minishengenit Ballkanik”, për zbatimin e katër lirive europiane në hapësirën e 6 shteteve të rajonit: Shqipëri, Kosovë, Serbi, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovinë.
Për herë të parë në historinë e shtetit tonë, Tirana zyrtare do të udhëheqë gjatë vitit 2020 Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Europian (OSBE), duke e çuar edhe një hap më tej, rritjen e përvojës sonë në drejtim të institucioneve ndërkombëtare, por edhe peshën e rëndësinë e Shqipërisë në rajonin tonë dhe në rrafshin kontinental.
Shqipëria është përcaktuar nga shumë agjensi dhe media botërore, që të jetë një nga destinacionet kryesore turistike për vitin 2020, duke i dhënë optimizëm tregut të brendshëm dhe një shtysë të re investitorëve të huaj, për të vijuar projektet e tyre të zhvillimit, hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen e ekonomisë sonë kombëtare.
Panorama e asaj që na prêt përgjatë 12 muajve të ardhshme, duket më optimiste në shumë aspekte, se ajo që sapo lamë pas përgjatë 2019. Kjo pritshmëri, e bën të justifikueshme në masën e duhur, edhe optimizmin e shpresat me të cilin, po pritet edhe ndërrimi i moteve. Ndaj, duke shpresuar për më të mirën për të gjithë në çdo aspekt, le të jetë kjo pasqyrë telegrafike zhvillimesh të reja që na presin, një kartolinë urimi për vitin e ri 2020!
GËZUAR!