Nga Alfred Peza
Zhvillimet e vitit 2019 që po lemë pas, duket se mbyllën ciklin e të gjitha eksperimenteve të një tranzicioni tejet të vështirë shqiptar, që klasa jonë politike ka zhvilluar në hapësirën e sistemit demokratik post komunist.
Elita e vjetër politike e vendit qe e dominon jetën tonë pluraliste nga dhjetori i 1990 e deri më sot, megjithëse i eksploroi të gjitha limitet e sistemit duke na futur në një rreth vicioz, vazhdon të mbahet me thonj duke refuzuar jo vetëm largimin, por edhe përgjegjësitë e dështimeve.
Sali Berisha dhe Ilir Meta që ishin protagonistët “e parë” të ardhjes së pluralizmit në sistemin monist, janë sot të vetmit “monistë” të sistemit tonë demokratik. Me 30 vitet e tyre, pasi lanë pas Ahmet Zogun, po konkurojnë tashmë me Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, për të thyer rekordin historik të kohëqëndrimit në krye të pushtetit politik në Shqipëri.
E si të mos mjaftonin të gjitha këto, janë të njëjtët që ende vijojnë e fajësojnë gjithkënd për gjithçka, përveç vetes. Madje duke u vetëofruar edhe si alternativa të reja. Nga 1990 e deri më sot, është kjo elitë e vjetër që eksperimentoi të gjitha format që na bënë të humbisnim pafundësisht shanset tona historike, për të kapur trenin që do ta bënte edhe “Shqipërinë, si gjithë Europa”.
Vendi kaloi perms një kalvari dështimesh:
Nga shkatërrimi i gjithçkaje të trashëguar nga ekonomia kombëtare sipas teorisë së terapisë së shokut dhe rifillimit nga zero përmes çekut të bardhë që do na falte perëndimi, tek mos rikthimi kurrë i pronës tek i zoti.
Nga ndërtimet e pakontrolluara në të gjithë territorin e vendit, tek mos dekomunistizimi i jetës sonë shoqërore. Nga mosgjykimi i krimeve të së shkuarës, tek harrimi i tyre. Nga ndërtimi i sistemit që instaloi kulturën e mosndëshkueshmërisë, tek ndëshkimi i të pafajshmëve dhe të pafuqishmëve.
Nga shkatërrimi i sistemit të vlerave dhe meritokracisë, tek instalimi i sistemit të militantizmit qorr e injorant. Nga shkatërrimi i shenjtërisë së votës në proceset elektorale, tek stimulimi i modeleve të “moralit të forcës” mbi “forcën e moralit”.
Nga qytetari i pari, tek vendosja e partisë mbi Shqipërinë. Nga ndarja dhe balanca e pushteteve, tek shndërrimi i sistemit të drejtësisë, në vazhdimin e luftës politike me mjete të tjera. Nga zhbërja në vijimësi e vlerave shoqërore, njerëzore e kombëtare, tek stimulimi, bërja simbol dhe ngritja në piedestal e antivlerave dhe banalitetit.
Ndëshkimi në vitin 2013 me votë i gjithë kësaj kulture dhe mënyre të të funksionuarit të sistemit demokratik në Shqipëri, i hapi rrugën një faze të re, një mundësie të re në jetën e vendit. Reforma në Drejtësi, si themeli i të gjitha reformave të shtetformimit modern të këtyre 30 viteve, e frikësoi elitën e vjetër të korruptuar e të kriminalizuar të vendit, e cila është e interesuar për ruajtjen me çdo kusht e çmim, të status quo-së së deridjeshme.
Sa më shumë që avanconte procesi i vettingut të gjyqtarëve e prokurorëve dhe sa më shumë ngriheshin e funksiononin institucionet e reja të drejtësisë, aq më shumë tërhiqej litari në anën e kundërt. Duke tentuar në mos fitoren, këputjen e tij dhe rifillimin e lojës nga e para. Me shpresën se kështu do të fitonin kohë për të penguar nisjen e funksionimit të SPAK dhe hallkave të tjera kyçe të sistemit të ri, që pritet të hetojë e ndëshkojë të gjitha mëkatet e 30 viteve të shkuara të politikës dhe krimit të organizuar në Shqipëri.
Në përmbushje të këtij skenari dukej se shkonin të gjitha hapat “in extremis” që hodhi opozita jonë kryesore në fillim të këtij viti. Duke nisur me dorëzimin e të gjitha mandateve të deputetëve të saj, daljen nga Parlamenti dhe daljen nga sistemi politik e demokratik i vendit. Nëpërmjet “revolucionit popullor” të molotovëve, kundër institucioneve kryesore kushtetuese të vendit, po tentohej injektimi artificial i një krize politike në sistem.
Në funksion të kësaj strategjie, ishte jo vetëm vendimi i bojkotit nga partitë e “Opozitës së Bashkuar”, por edhe çdekretimi nga ana e Presidentit të Republikës të zgjedhjeve të 30 qershorit, që i hidhte benzinën zjarrit të një përplasje të madhe mes palëve. Vendosmëria e mazhorancës dhe ndërhyrja e fuqishme e SHBA dhe BE, e dogjën këtë skenar.
E bashkë me të, u dogj edhe një nga eksperimentet më të rrezikshme politike, të këtyre 30 viteve të tranzicionit shqiptar. Duke dëshmuar përfundimisht se si kudo në botën moderne demokratike, edhe në Shqipëri, e vetmja rrugë e mundësi për të ardhur në pushtet, është konkurimi i partive politike brenda sistemit. Pjesëmarrja e tyre në zgjedhje. Konkurimi me programe dhe alternativa qeverisë e zhvillimi. Në fund, është vetëm vota e qytetarëve shqiptarë, ajo që e përcakton se kush vjen në pushtet e kush duhet të qëndrojë në opozitë.
Ky shembull i demokracisë funksionale gjatë 2019 dhe nisja me këmbën e mbarë e punës nga sistemi i ri i drejtësisë, japin shpresa për një 2020 politik ndryshe, edhe në Shqipëri. Viti i ri do jetë i shumë 30 vjetorëve të rëndësishëm të historisë sonë të re politike, i cili pritet që të shënjojë jo vetëm jetën e vendit, por edhe të gjithkujt prej nesh. Është e pamundur që të parashikosh me saktësi se si do të jetë Shqipëria një vit më pas. E sigurtë është, se 2019, nuk do të përsëritet kurrë më!