Letër e lamtumirës
Të dashur miq,
Nga Dr. Sylë Ukshini
Po ju shkruaj nga Prishtina. Fundviti 2019 përkoi me përfundimin e misionit tre vjeçar të detyrës sime në krye të Ambasadës së Kosovës në Tiranë. Ka qenë nder të jem në misionin diplomatik në Tiranë.
Ju uroj të gjithëve dhe po Ju përshëndes, sidomos atyre, të cilëve nuk pata mundësinë t’ua them nga afër, për shkak të pamundësisë kohore. Vërtetë koha ka kaluar me shpejtësi të pabesueshme, por mbresat dhe dashuria ime për Shqipërinë dhe njerëzit e saj do mbeten të përhershme. Me rastin e largimit nga Shqipëria dëshiroj t’u shpreh mirënjohjen time të gjithë miqve e dashamirëve në Republikën e Shqipërisë me të cilët më ka lidhur detyra si diplomat, veçanërisht atyre që nuk pata mundësinë t’i përshëndesja nga afër, për shkak të pamundësisë kohore. Tre vjet nuk janë shumë, por mbresat dhe dashuria ime për Shqipërinë dhe njerëzit e saj mbeten të përhershme.
Këto vite pune në Ambasadën e Kosovës kanë qenë më të veçantat në jetën time. Por ishin vite të jashtëzakonshme edhe në shtetin shqiptar. Në karrierën time, nderi më i madh ka qenë të shërbej në Tiranë si shef i Ambasadës së Republikës së Kosovës, dhe të promovoj marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Të jem i sinqertë, të jesh diplomat i Kosovës në Shqipëri pa dyshim dallon shumë nga të qenit diplomat kosovar kudo tjetër, për shkak të marrëdhënies unike mes vendeve tona por edhe detyrimit e përpjekjes për të bërë shumë për integrimin e dyanshëm.
Unë do të mbetem gjithmonë i lumtur për njohjet, miqësitë që kam krijuar në Shqipërinë e bukur dhe jam thellësisht mirënjohës për vlerësimin që kam gjetur aty tek Ju dhe ngrohtësinë tuaj të pamasë. E përsëris: Shqipëria çdo herë do të ketë vend të veçantë në zemrën time. Është e vërtetë se unë jam rritur në një familje, ku narracioni dhe dashuria për Shqipërinë është kultivuar në vazhdimësi brez pas brezi, dhe ndihem me fat që pata mundësinë ta vazhdoj edhe vetë këtë herë në mënyrë institucionale, duke provuar të thellojmë së bashku marrëdhëniet midis të shteteve tona, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, të cilat janë shumë të veçanta, pasi janë më shumë se ato të zakonshmet midis dy shteteve.
Kosova dhe Shqipëria janë aleatë të natyrshëm strategjikë, pasi kanë një qëllim, një aspiratë, një të ardhme, një gjuhë, një kulturë, një histori, e mbi të gjitha dhe një orientim strategjik afatgjatë euro-atlantik. Kosova dhe Shqipëria kanë dhe do të kenë një udhëtim të përbashkët dhe ato do jenë gjithmonë përkrah njëra-tjetrës pa marrë parasysh orientimin politik të elitave drejtuese të shtetit shqiptar.
Kosova dhe populli i saj vlerëson përjetësisht kontributin e Shqipërisë dhe të qytetarëve të saj gjatë gjithë historisë. Pavarësisht përçarjes dhe pafuqisë së brendshme, shtetit të pavarur dhe përgjatë shek. 20, Shqipëria bëri përpjekje për të ndihmuar vëllezërit kosovarë kur ata u dëbuan dhe u përndoqën prej atdheut të tyre nga qeveritë nacionaliste të Beogradit gjatë luftërave ballkanike 1912-1913, pastaj në periudhën midis dy luftërave ballkanike dhe së fundi gjatë vitit 1998-1999. U takuam në kohë të vështira ose siç thotë shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare në librin e tij kushtuar Kosovës “Ra ky mort e u pamë”, ne u takuam në ditë të vështira, kur afro një milion shqiptarë të Kosovës ishin dëbuar me dhunë nga regjimi i Sllobodan Milosheviqit. Por këto koha të rënda dhe të vështira na mobilizuan si komb dhe na forcuan për ndërtimin e kohezionit tonë të brendshëm.
Ne ja dolëm së bashku, u rikthyem dhe e rindërtuam shtëpinë tonë, Kosovën. Ishte një fitore e jashtëzakonshme, jo vetëm për Kosovën, por edhe për Shqipërinë dhe të gjithë aleatët tanë. Ishte një rrugëtim i gjatë drejt lirisë dhe pavarësisë, ishin bërë shumë sakrifica, shumë mund, shumë vuajtje, shumë dhimbje, shumë gjak që nga luftërat ballkanike 1912/1913, kur atdheu ynë u pushtua nga Beogradi. Pa ndihmën e aleatëve perëndimor dhe të shtetit shqiptar sigurisht se nuk do ishim këtu ku jemi tani.
Prandaj, nuk e teproj aspak nëse themi se liria e Kosovës u shndërrua në një projekt i përbashkët i Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa pavarësia e Kosovës solli më shumë stabilitet, më shumë siguri dhe më shumë progres edhe për Shqipërinë dhe rajonin.
Me të njëjtën gatishmëri dhe emocion reaguan edhe kosovarët me rastin e tërmetit të muajit nëntor që goditi Shqipërinë. Ata nuk kursyen asgjë për të ndihmuar vëllezërit e tyre në përballimin e kësaj situate të rëndë. Kudo që kam lëvizur nëpër Shqipëri kam dëgjuar falënderime dhe mirënjohje të thellë për humanizmin e shpërfaqur nga Kosova dhe institucionet e saj.
Ne në Kosovë vlerësojmë çdo përpjekje dhe çdo kontribut të qeverive shqiptare në bashkëpunim edhe me disa shtete të fuqishme perëndimore, në rrallë të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në procesin e shtet-ndërtimit, në njohjen ndërkombëtare të shtetësisë së Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare. I ndrituri Mid’hat Frashëri kishte shkruar dikur se shtet-ndërtimi i Kosovës ishte amaneti dhe përmbushja e projektit të Lidhjes së Prizrenit.
Të dashur miq
Zhvillimet në Shqipëri janë premtuese edhe pse nganjëherë duket sikur këtu është më e keqja në botë. Ashtu si për hir të së vërtetës ka disa gjëra që nuk janë aq të volitshme. Mirëpo 30 vitet pas rënies së komunizmit edhe Shqipëria duhet të zgjidhë vet çështjet e saj të brendshme dhe të mos presë më shumë sa duhet nga ndërkombëtarët. Shqipëria duhet të marrë përgjegjësi për të ardhmen e vet. Përkushtimi juaj e bënë Shqipërinë një vend të bukur dhe më demokratik. Vetëm shqiptarët e kanë fuqinë për ta bërë Shqipërinë ashtu siç ata e dëshirojnë. Këtu në Shqipëri kam takuar shumë burra dhe gra me kapacitete të larta intelektuale, në kuptimin e plotë të fjalës, njoha një elitë intelektuale me parametra realisht evropiane. Gjatë këtyre viteve bëra shumë miq dhe njoha shumë profesorë, gazetarë, sportistë dhe biznesmenë të suksesshëm. Është një pasuri e madhe për mua, të cilën e gjeta këtu dhe do ta kultivoj gjithmonë. Duhet të them po ashtu se këtu gjeta edhe një vlerësim dhe mirënjohje për angazhimin tim në thellimin e raporteve tona Kosovë-Shqipëri. Por në të njëjtën kohë, më lejoni të them se ditëve të fundit nuk jam ndjerë mirë lidhur me përplasjet ndërmjet dy qendrave tona vendimmarrëse lidhur me Shengenin ballkanik, që startoi zyrtarisht me Samitin e Novi Sadit ndërmjet tre kryeministrave të rajonit, Rama, Zaev dhe Vuçiq.
Kosova dhe Shqipëria vërtetë janë shtetet të pavarura, por ato kanë interesat afatgjate të përbashkëta. Në kohën kur Serbia provon ta bllokoj Kosovën në çdo nismë dhe kur me çdo mjet dhe mënyrë e lufton shtetësinë e saj, duke e pavlerë për ne çfarëdolloj retorike të cilën Vuçiq e përdor në Tiranë ose, thënë më saktë, mënyrën si aktron ai njeriun e paqes, ndërkohë që ai glorifikon Milosheviqin dhe justifikon krimet dhe terrorin në Kosovë. Dihet qartë se Beogradi synon që komunikimin për Kosovën ta zhvendos në Tiranë, madje këtë e ka pohuar në vazhdimësi. Po ashtu, përmes forcimit të raporteve me Shqipërinë, Beogradi përpiqet ta godas Kosovën, duke dërguar mesazhet se “me udhëheqësit e Tiranës kuptohem mirë, por ata në Prishtinë e minojnë bashkëpunimin rajonal”. Ndërkohë, derisa Vuçiq bënë njeriun e paqes, në anën tjetër provon të nxisë turbullira në mesin kudo ku ka qoftë edhe një serb në Mal të Zi, në Kosovë, Bosnjë, Kroaci e gjetiu. Është më tepër se iluzion të mendohet se Shqipëria mund të ketë bashkëpunim normal me Beogradin pa u normalizuar së pari marrëdhëniet mes Kosovës dhe Beogradit. Çfarëdo hapi i nxitur nga cilado palë i lëndon seriozisht raportet tona.
Të dashur miq,
Unë kam edhe diçka për të thënë për Ju dhe për shumë të tjerë që nuk i njoh nga afër. Në shtëpitë, në katedrat, në kantieret, në mediumet shqiptare, në skenën politike shqiptare duhet kultivuar dhe përçuar më shumë dashuri dhe më shumë lojalitet për Shqipërinë. Është një vend i bukur që ka nxjerrë figura të mëdha si Skënderbeu, Pjetër Bogdani, Ismail Qemali, Nëna Tereza, Ismail Kadare, personalitete që krijuan hartën e një kulture të tërë, të historisë, pasionit, folklorit, politikës dhe humanizmit ta saj. Edhe sot ka shumë figura të cilat mund të drejtojnë Shqipërinë drejt destinacionit të dëshiruar me shekuj.
Jam me fat dhe shumë i lumtur që gjatë shërbimit tim në krye të Ambasadës së Kosovës pata mundësinë të njihja më shumë Shqipërinë dhe njerëzit e saj. Shpejt e kuptova se me ardhjet sporadike nuk e kisha njohur sa duhet Shqipërinë, sepse ajo është më shumë dhe më e madhe se kryeqyteti i saj, Tirana, më shumë se plazhet e bukura. Të arrish ta njohësh Shqipërinë në tërësinë e saj, përfshirë diversitetin dhe thelbin e saj, të bëhet e mundur vetëm nëse do të jetosh për vite të tëra, duke njohur njerëz dhe zona të bukura nga veriu dhe jugu, lindja dhe perëndimi, malet dhe bregdetet, qytetet dhe fshatrat. Këtu ka shumë vende të mrekullueshme, këtë ma thonë edhe diplomatët e huaj. Bukuritë gjeografike, bregdetin e pastër dhe madhështor, trashëgimia historike-kulturore të Shqipërisë është e jashtëzakonshme. Ka shumë qytete dhe vende nga veriu në jug që kryesojnë në listën time të preferuar. Shqipëria është perla e Adriatikut dhe Ballkanit me një potencial shumë të fuqishëm për turizëm, por ajo duhet bërë akoma shumë në përmirësimin e shërbimeve. Prandaj, po të krahasohet me vendet përreth saj, pjesa e të ardhurave nga turizmi akoma është shumë e ulët.
Por, këtu ka edhe paradokse gazmore, më lejoni t’ju përmend atë që unë e quaj “paradoksin Lekë të vjetër – Lekë të rinj”, që përdoret edhe nga brezi i ri, i lindur vite pas reformës monetare. Dhe një veçanti tjetër është retorika linguistike, në vend të fjalës “shkojmë” apo “largohemi”, njerëzit këtu thonë” ikim” ose paradoksi tjetër linguistik “kush është problemi” kur duan të thonë se “cili është problemi”.
Ajo që më së shumti i mungon Shqipërisë është kultura e kompromisit dhe angazhimi për interesa të larta shtetërore. Një ditë një ambasador i një vendi të rëndësishëm evropian më tha: “Sot, liderët shqiptarë dhe secili nuk lëshonte pe nga pozicioni i tij, asnjëri nga ta nuk e vinte në plan të parë Shqipërinë”. Prandaj, nuk e teproj aspak, nëse u them se Shqipëria ka nevojë edhe për më shumë dashuri nga vetë shqiptarët, për më shumë respekt dhe për më shumë lojalitet. Vetëm kjo qasje e shkurton rrugën tuaj dhe tonë drejt anëtarësimit në BE. Është fat i mirë që në këtë rrugë, si Shqipëria, ashtu edhe Kosova, kanë mbështetjen SHBA-së.
Gjatë tri dekadave të fundit të dy vendet tona kanë përjetuar transformime të mëdha dhe historike. Rënia e Murit të Berlinit dhe shpërbërja e sistemit komunist në Evropën Lindore dhe Juglindore na dha mundësi që edhe ne të prekim lirinë evropiane dhe pas një shekulli përpjekjesh ta bëjmë shtetin e Kosovës. Por, ashtu si Shqipëria edhe Kosova kanë për të bërë shumë, si për integrimin në sistemin ndërkombëtar ashtu edhe për realizimin e idesë për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane. Pro, është e padrejtë dhe zhgënjyese që Kosova, një vend me vetëm 2 milionë banorë, mbetet edhe më tej vendi i vetëm evropian, populli i të cilit është i izoluar, edhe pse ka përmbushur të gjitha detyrimet, liberalizimi i vizave ka mbetur peng i dinamikave të brendshme në vendet e Bashkimit Evropian. Justifikimet në Bruksel mund të jenë të pafundme, por më pak se 2 milion banorë të Kosovë nuk paraqesin në asnjë barrë për BE-në, ndërkohë që 100 milionë njerëz i janë shtuar asaj bashkësie njerëzisht që mund të hyjnë në BE pa viza.
Për më tepër, liberalizimi i vizave për Kosovën ka edhe një domethënie edhe më të madhe se për çdo vend tjetër evropian. Për ne qytetarët e shtetit më të ri evropian, liberalizimi i vizave paraqet edhe konfirmim të shtetësisë dhe fuqizimi të pasaportës së Republikës të Kosovës, si dhe hapje edhe të një porte tjetër në rrugëtimin tonë drejt evropianizimit të vendit tonë. Mendoj se një Kosovë evropiane është edhe në interesin e vetë BE-së.
Pa dyshim, ne në Kosovë vlerësojmë angazhimin e të gjithë politikanëve shqiptarë në Tiranë nga radhët e pozitës dhe opozitës për angazhimin e tyre në forcimin e shtetësisë së Kosovës, për integrimin e saj në sistemin ndërkombëtar si mbështetjen e tyre për liberalizimin e vizave për vendin tonë. Në çështjet kyçe që ndërlidhen me pozicionin rajonal dhe ndërkombëtar të Kosovës, Shqipëria mund dhe duhet të flasë për Kosovën, por zëri i saj duhej të jetë gjithmonë identik me zërin e lidershipit të Kosovës.
Të dashur miq
Unë jam sot i lumtur që mes nesh janë bërë shumë gjëra, por akoma ka shumë për t’u bërë. Sidomos në planin ekonomik ekziston hapësirë dhe potencial i madh për fuqizimin e bashkëpunimit dypalësh. Por, në rend të parë, për të njohur potencialin e ekonomisë në Kosovë dhe në Shqipëri, për të matur vlerën e saj në tregun rajonal dhe evropian, përparësi duhet të ketë identifikimi i sektorëve strategjik, pasi vetëm në këtë mënyrë do t’i jepnim mundësi Kosovës dhe Shqipërisë të prodhonin produkte konkurruese jo mes njëra-tjetrës, por për tregun rajonal dhe evropian. Ne i njohim mirë limitet tona financiare, por orientimi do të duhej të ishte në sektore që parashikojnë rritje në terma afatgjate. Në çdo sektor nuk mund të bëjmë njëkohësisht, por duhet të ketë një pakt të madh politik për sektorët strategjik që tejkalojnë mandatet qeverisëse në Prishtinë dhe në Tiranë. Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh, në vend të projekteve lokal apo rajonale infrastrukturore, do të duhej të duhej të niste hartimi i projekteve, sigurisht edhe me asistencën e ekspertëve ndërkombëtarë, që kapërcejnë kufijtë aktual të shteteve tona si dhe mandatet qeverisëse. Në këtë linjë, mendoj se pas funksionalizimit të mëtutjeshëm të Zyrës Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit, projekti i Rrugës së Kombit, i cili mbetet një arterie më strategjike në mes Kosovës dhe Shqipërisë, do të fitonte më shumë kuptim dhe rëndësi në rast se do të ndiqej edhe me projekte tjera, si hekurudha apo shtrirja e degëzimit të gazsjellësit TAP ose IAP.
Në këtë kuadër, në të ardhmen edhe takimet midis dy qeverive tona, në vend të ikonografisë dhe efekteve mediale afatshkurtra, duhet të jenë më tematike, më të organizuara me fokus-tema, në mënyrë që ato të jenë më përmbajtjesore, më me substancë dhe me impakt në terma afatgjate. Duhet të gjenden mënyra më të duhura që administratat e dy shteteve tona ta përçojnë më shpejtë dhe me sukses vullnetin politik të elitave politike dhe shtetërore në Prishtinë dhe në Tiranë.
Të dashur miq
Duke e mbyllur, unë dua të them edhe një herë se ishte vërtetë privilegj dhe përgjegjësi, por edhe një fat shumë i madh, që për tre vite të isha në mesin tuaj si drejtues i Ambasadës së Republikës së Kosovës. Unë ndjehem edhe më i privilegjuar, që 20 vjet më pas nga ato momente që dukeshin fundi i botës, ku Kosova i ngjante një toke të djegur, ku nga momenti në moment dukej se krimi po triumfonte edhe një herë në Evropë, të mund të flasim për projeksionet e bashkëpunimi tonë, për partneritetin strategjik dhe të ardhmen e dy vendeve tona të kontinentit evropian.
Ne duhet të bëjmë më shumë që Kosova dhe Shqipëria të jenë më të mira, falë punës sonë, falë lojalitetit tonë, falë përkushtimit tonë dhe falë profesionalizmit tonë, në mënyrë që brezat që vijnë pas nesh ta jetësojnë ëndrrën për një shoqëri me vlera dhe standarde evropiane.
Uroj që Viti 2020 të realizojë dëshirën e madhe të Shqipërisë për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian dhe lëvizje të lirë në zonën Schengen edhe për qytetarët e Kosovës, shtetit më të ri evropian.
Ju uroj shëndet, paqe, mirëqenie, dashurie e mirësi për njëri-tjetrin!
Dr. Sylë Ukshini
Prishtinë, Dhjetor 2019