Detaje rrëqethëse dalin në dritë në lidhje me vrasjen e 37-vjeçares shqiptare, Brunilda Sadushi. Kjo e fundit u gjet e vdekur natën e Krishtlindjeve në afërsi të Kanës, në rajonin e Francës. Kjo ngjarje e rëndë u transmetua me shpejtësi nga mediat franceze, të cilat kanë gërmuar mbi veprimtarinë e shqiptares duke hedhur dritë edhe rreth autorit, që mund të këtë kryer vrasjen e saj.
Mediat vendase shkruajnë se është zbuluar autori i krimit, ndërsa raportohet se ai është arrestuar që ditën e ngjarjes dhe bëhet fjalë për një 28-vjeçar nga Kana, me profesion shofer. Shqiptarja, e cila ishte nëna e një djali të vogël, u gjet gjysmë e zhveshur natën e Krishtlindjeve në një park të qytetit, ndërsa në trupin e saj u konstatuan shenja djegieje.
Sipas asaj që shkruajnë mediat atje, autori i dyshuar i krimit makabër ka pranuar fajësinë para policisë dhe prokurorisë, ku dhe ka shtuar se në ato momente e ka humbur kontrollin dhe nuk ka qenë fare i vetëdijshëm. Prokurori i çështjes, Fabienne Atzori, përmes një deklarate për shtyp konfirmoi se i arrestuari ka pranuar se ka qenë ai vrasësi i 37-vjeçares shqiptare. Sipas dëshmisë së të arrestuarit, ngjarja në Francë, ka ndodhur për një mosmarrëveshje që kishte ai me shqiptaren.
Më tej , prokurori i cili pritet të faktojë të gjithë veprimet mbi vrasjen e shqiptares tha se i riu nga Kana kishte paguar për të kryer marrëdhënie seksuale me Brunilda Sadushi, të cilën më pas e mbyti dhe trupin e saj të pajetë e transportoi në Mougins, disa kilometra më larg, ku dhe tentoi ta digjte pjesërisht me qëllim zhdukjen e gjurmëve.
“I riu pranoi se e kishte takuar viktimën natën e 24 dhjetorit, pasi kishte kryer marrëdhënie seksuale me të, pasi për shkaqe që do të konfirmohen më vonë humbi arsyen e tij, e kishte mbytur atë dhe pasi kishte bërë këtë veprim zgjodhi ta transportonte viktimën në një vend që ai e dinte se ishte i përshtatshëm që të zhdukte trupin ” tha prokurori, raporton Lefigaro.fr. Tashmë pritet autopsia, e cila do të nxjerrë edhe arsyet e vërteta të vdekjes së 37-vjeçares. (Pergatiti BW)