Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, së bashku me specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Tiranës dhe me gjeologë e konstruktorë kryen një inspektim në kalanë e Krujës.
“Inspektimi pati si qëllim studimin gjeologjik të zonës së kalasë për të gjetur mënyrën e duhur për përforcimin e strukturës shkëmbore mbi të cilën është ngritur kalaja”, – bën të ditur Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.
Nën koordinimin e Ministrisë së Kulturës, në vijim të tërmetit të 26 nëntorit 2019, pranë IKTK-së janë ngritur grupe teknike për inspektime në pasuritë kulturore si dhe në institucionet e artit, kulturës dhe muzetë nën administrimin e Ministrisë së Kulturës.
Grupet e inspektimit kanë për qëllim raportimin në kohë reale të situatës dhe vlerësimit të gjendjes në objektet me status monumente kulture (të gjinive dhe tipologjive të ndryshme si banesa/fortifikime/objekte kulti/vepra inxhinierike etj.) në të gjithë vendin.
Shkëmbi nën kullën e sahatit rrezikon të shembet për shkak të dëmtimeve nga tërmeti i 26 nëntorit të rënë në vendin tonë. /e.s/