Albin Kurti nuk do të marrë sot mandatin nga Hashim Thaçi për formimin e Qeverisë së re. Lëvizja Vetëvendosje u ka shpërndarë mediave në Kosovë një njoftim ku saktësohet se Kurti ndodhet jashtë Prishtinës dhe e ka të pamudur të takohet me Presidentin.
Për këtë ka reaguar edhe presidenti Hashim Thaçi i cili në twitter shkruan se: “Dje, Parlamenti i Kosovës u konstituua me zgjedhjen e një kryetari të ri dhe kryesinë e tij. Ndërsa pranova urgjencën për të formuar qeverinë e re dhe në përputhje me Kushtetutën, sot e ftova zotin Kurti të propozojë kandidatin për kryeministër.
Ai nuk është paraqitur në zyrën time siç pritej. Sidoqoftë, një ftesë e re do të pasojë me shpejtësi. Unë përsëri u bëj thirrje të gjithëve të tregojnë udhëheqje dhe të mos vonojnë formimin e Qeverisë së re të Republikës së #Kosovës. Populli dhe aleatët tanë presin më shumë udhëheqje“.
Kujtojmë se ditën e djeshme u betuan deputetët e rinj, ndërkohë që Glauk Konjufca nga Vetëvendosje u zgjodh në kryetar i Parlamentit.
Negociatat disa javore midis Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike, e cila doli parti e dytë në zgjedhje, nuk kanë dhënë ende një vendim pozitiv. Palët kanë ngecur te posti i Presidentit të Republikës, i kërkuar me shumë ngulm nga partia e drejtuar nga Isa Mustafa.
Ky i fundit deklaroi mbrëmë se nuk i quan ende të dështuara negociatat me Kurtin, çka lë të hapur mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje në minutat e fundit.
g.kosovari