Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nga 1 janari i vitit 2020 do të nisë revolucioni digjital për qytetarët. 472 shërbime që deri sot kërkohen në radhë nëpër sportele, do të kërkohen me aplikime online përmes smartfonit apo kompjuterit.
Qytetarëve nuk do t’u kërkohen më dosje me dokumente shtetërore, po vetëm dokumente që janë individuale dhe të gjithë dokumentet shtetërorë të nevojshëm për dosjen do të sigurohen nga vetë administrata. Qytetarët, sipas kryeministrit do të mund ta ndjekin online ecurinë e aplikimit të tyre dhe do të paraqiten në sportel për të marrë shërbimin në afatin e përcaktuar ligjor. Kryeministri është besimplotë se ky revolucion do të zhdukë të gjitha radhët për këto aplikime; shkurtojë kohën e humbur për të marrë një shërbim dhe të eliminojë masivisht ryshfetin.
“Kjo që do të ndodhë është një revolucion. Është e domosdoshme që njerëzit të vihen në dispozicion të këtij sistemi. Nuk është thjeshtë cështja e mundësisë së vetme e aplikimit për shërbime online, që njerëzit të mos jenë të detyruar të vijnë në sportel, por ta bëjnë aplikimin nga shtëpia në telefon. Ky është blloku i parë, në qershor do të ketë një të dytë, ndërsa në dhjetor të 2020 të gjitha shërbimet, me përjashtim të disave që e duan personin aty. Qytetarët do të aplikojnë dhe do të postojnë online vetëm dokumentet personale, një dokument banke, në vërtetim…Ndërsa ato që janë brenda për brenda shtetit do i merrni ju. Pra, kolona e dokumenteve të shtetit do të mbushet nga brenda administratës.
Nëse vjen një qytetar dhe shtatë dokumente, ia kërkojmë deri sot të shkojë ti marrë. Jam unë që garantoj që dokumentet të futen në aplikimin e tij dhe ai të marrë shërbimin në afatin ligjor dhe të paraqitet në filan datë për të marrë atë që kërkon. Qytetarët të shpëtojnë nga radha dhe ecejaket. Nëse ia dalim shkurtojmë kohë dhe tension nervor dhe eliminohet mundësia për ryshfet” tha Rama. Kryeministri deklaroi se në qershor do të hyjë online blloku i dytë i shërbimeve dhe deri në fund të vitit 2020 të gjitha shërbimet “me pak përjashtime të paevitueshme dot për shkak të nevojës së paraqitjes së personit për një aplikim” tha Rama.
Por si mund të bëhet një aplikim online? Çdo qytetar mund të regjistrohet te e-Albania nga kompjuteri ose telefoni. Dokumentet shoqëruese që jepen nga shteti sigurohen nga punonjësi, ndërsa qytetari duhet të bashkëngjisë vetëm vetëdeklarimet dhe dokumente që jepen nga privati. Te e-Albania do të gjeni edhe listën e shërbimeve që do të aplikohet vetëm online nga 1 janari i 2020.
g.kosovari