Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë e cilëson si diskriminim faktin që nuk u bënë pjesë e kategorisë që morën shpërblim për Vitin e Ri. Në një reagim për mediat, shoqata thotë se mungesa e shpërblimit është forma e hapur dhe e pajustifikueshme e diskriminimit të Personave me Aftësi të Kufizuara me pensionistët e tjerë.
Ata i bëjnë thirrje qeverisë që të rishikojë vendimin dhe ti përfshijë te kategoritë që përfitojnë shpërblim. Një tjetër shqetësim i Shoqata së të Verbërve të Shqipërisë është edhe fakti që përveç Tiranës dhe Durrësit, në qytetet e tjera nuk kanë marrë pagesën e muajit, që sipas tyre duhet të bëhet brenda muajit.
“Qeveria ka mbajtur një qëndrim diskriminues ndaj personave me aftësi të kufizuar dhe veçanërisht ndaj të verbërve. Ne vlerësojmë pozitivisht faktin që qeveria ka akorduar një shpërblim për fundviti për pensionistët për invalidët e punës dhe për ata që marrin pension social. Ashtu sikurse ne nuk mund të pajtohemi me qëndrimin diskriminues të kësaj qeveria ndaj personave me aftës të kufizuar dhe të verbërve duke mos akorduar, duke i përjashtuar ata ndryshe nga pensionistët e fundvitit nga përfitimi i shpërblimit të fundvitit”, tha kreu i Shoqatës së të Verbërve Ardian Hysa.
Ai tha se përveç kësaj disa bashki nuk kanë zbatuar urdhrin e ministrisë së Financave për të shpërndarë pagesat e pensionistëve, invalidëve të punës, të verbërve.
“Duke mos mjaftuar kaq, ata ndryshe nga udhëzimi që ka nxjerrë ministrja e Financës, ku thuhet që do të lëvrohen dhe do të jepen pagesat e pensionistëve, invalidëve të punës, të verbërve ka ndodhur e kundërta. Prandaj ne i bëjmë thirrje qeverisë që është një detyrim ligjor që këto pagesa të jepen brenda muajit, përndryshe këto veprime do të konsiderohen si shpërdorim detyre dhe ne i bëjmë thirrje prokurorisë që në bashkitë ku nuk është zbatuar ky detyrim ligjore të bëjë procedimet përkatëse për personat që nuk kanë zbatuar detyrën. Qeveria të rishqyrtojë qëndrimin e saj ndaj personave me aftësi të kufizuar dhe të verbër”, u shpreh ai.
/a.r