Partia Demokratike përmes sekretarit të përgjithëm të saj, deputetit Arben Ristani ka shigjetuar Ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri, si të përfshirë dhe në lidhje të drejtpërdrejtë me trafikantët e drogës, që u arrestuan ditët e fundit në Durrës. Sipas PD, lidhjet e Sajmir Tahirit janë dekonspiruar nga policia italiane, dhe se ministri ka bërë të pamundurën që të ndihmojë trafikantët e drogës për të çuar lëndë narkotike në Itali.
“Eshtë dokumentuar nga partnerët, biseda e ministrit tonë të brendshëm me kokat e trafikut, duke u justifikuar para tyre, pas zbulimit të drogës në një banesë në Durrës.
“Nuk e keni prej meje”, u thotë Tahiri kokave të trafikut.
Po sigurisht nuk e kanë prej Saimir Tahirit, sepse ai është njëri prej tyre. Nuk e kanë prej Tahirit sepse ai është pjesë e këtij trafiku kriminal. Vetëm policia italiane po e lufton trafikun e drogës, dhe pengesa kryesore për ta është Saimir Tahiri. Eshtë pengesë për ta dhe lehtësi për bandat kriminale. Kapot e tonelatave me heorinë nuk u ndaluan, arritën të largohen në kohë. Lehtësim prej Saimir Tahirit.
Avionët e vegjël të ngarkuar me drogë vazhdojnë të kalojnë në qiellin tonë drejt Italisë. Lehtësi prej Saimir Tahirit. Pra trafiku i drogës intensifikohet çdo ditë, sepse mafia ka Ministrin e Brendshëm në shërbim të saj.”- tha Ristani.