Nga ARTUR AJAZI
Po mbyllet një vit pa opozitën, po mbyllet një vit pa mendimin ndryshe në rrugë institucionale, po mbyllet një vit pa argumentin ndryshe, dhe kjo padyshim është e gabuar. Eshtë e pafalshme dhe e pakonceptueshme, që një parti politike si Partia Demokratike, ti qëndrojë “besnike” vendimeve të diktuara nga interesat e Njëshi-t, duke dëmtuar me dashje krejt linjën drejtuese të asaj partie, duke marrë si shpërblim braktisjen e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve.
Viti 2019, do të kujtohet gjatë nga ne, si viti i mbrapsht, ku e nisi ish-opozita, me braktisjen e Parlamentit, djegien e mandateve, dhunën dhe flakën institucioneve, duke mos harruar 26 Nëntorin e tmerrshëm, ku patëm dëme të shumta njerëzore dhe materiale. Një vit pa opozitën, pa pjesën tjetër të politikës ndryshe, aq të nevojshme në Parlamentin e një vendi demokratik. I braktisën institucionet, ata që krijuan partinë e tyre për pluralizmin politik, i braktisën mandatet ata që rrahin gjoksin se “jemi parti e djathtë”, i braktisën zgjedhësit e tyre ata që kurrë nuk kanë pushuar së foluri për “hallet dhe problemet e shqiptarëve”.
Braktisën zgjedhjet , ata që kurrë nuk kanë zhvilluar një palë zgjedhje të lira, ata që nuk kanë fituar me votë të ndershme një palë zgjedhje të lira, ata që gjithmonë kanë kontestuar dhe kanë bojkotuar rezultatin e tyre, edhe kur kanë qenë në qeverisje. Ikja nga institucionet, dhe dalja në rrugë, ka qenë dhe mbetet filozofia e drejtimit të Partisë Demokratike, qysh nga koha e Doktorit.
Të mësuar me “tortën” e pushtetit, të mësuar me “fitoren plebishitare” ish-opozita e vjetër, edhe sot e kësaj dite nuk e ka kuptuar se pushtetin e ka humbur, dhe jo pak por 4 herë me votën e lirë. Djegia e beftë e mandateve, ka pasuar bojkotin e shpeshtë dhe “ledhatues” të Parlamentit nga partia e SHQUP-it, ashtu sikurse ka qenë dhe anatemimi reformave, kurse bojkotimi zgjedhjeve i ka kaluar kufijtë. Shqipëria ka ecur përpara, dhe do të ecë përpara në rrugën e saj drejt Europës, ndërkohë që ky rrugëtim kërkon edhe opozitën reale, opozitën institucionale, opozitën e përgjegjshme parlamentare, dhe jo opozitën destruktive, opozitën e bojkotit dhe dhunës.
Një vit pa opozitën, padyshim është një sfidë e madhe për një vend demokratik, por kurrë Shqipëria nuk mund të mbetet peng i bajraktarëve dhe fabrikuesve të së keqes, që duan ta mbajnë vendin të mbërthyer në kriza fatale për fatet e tij. Një vit pa opozitën e SHQUP-it, nuk është ndonjë hata e madhe, kur dihet se partia e Doktorit dhe Lulzimit, kurrë nuk e kanë pranuar faktin se janë opozita. Partia Demokratike, është sot një parti me shumë probleme, dhe shumë të “panjohura”, dhe nuk ka rregull treshi, që ti zgjidhë asaj lëmshin e përdredhur. E vetmja zgjidhje , që e risjell sërish PD pikën e duhur, është shpërbërja e saj. Ideale do të ishte largimi Lulzimit, fatale do të ishte qëndrimi akoma i Doktorit.
Ishallah nuk vjen me ne parlament