Gjithsej janë natyralizuar 25.600 të huaj ose 3000 më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit 2014, kur ishin regjistruar 22700 të tilla. Gjatë nëntë muajve të vitit 2015 (janar-shtator) janë natyralizuar ose e kanë fituar shtetësinë zvicerane 25.600 të huaj.
Ky numër është për 3000 më i madh se ai i natyralizimeve të bëra në periudhën e njëjtë të vitit 2014, kur ishin regjistruar 22700 të tilla. Siç mund të shikohet më tutje në shënimet e detajuara të publikuara të enjten nga Sekretariati Federal për Migracion (SEM), numri më i madh i të natyralizuarve vjen nga Gjermania, transmeton albinfo.ch.
3517 shtetas gjermanë që jetojnë në Zvicër kanë marrë gjatë kësaj periudhe pasaportat zvicerane. Menjëherë pas tyre janë italianët, 3463 prej të cilëve gjatë këtyre nëntë muajve janë bërë zviceranë me dokumente. Portugezët me 2092 dhe kosovarët me 2064 pasaporta zvicerane vijnë në vendin e tretë respektivisht të katërt të kësaj liste.
Ata pasohen nga francezët (1510), turqit (1214) serbët (1128), spanjollët (920) maqedonasit (840) etj. Statistikat e publikuara të enjten nga SEM tregojnë se në Zvicër, në fund të shtatorit 2015 kanë jetuar rreth 109.000 shtetas kosovarë, ose rreth 6000 më shumë se një vit më parë.