Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit prej kohësh është kthyer në qendër të debatit. Dorëheqja e Agron Tufës dhe zëvendësimi i tij në krye të këtij institucioni me Çelo Hoxhën i ka forcuar edhe më tepër përplasjet. Ish-shefi i Sektorit të Edukimit në Komitetin Qendror të PPSH, Muharrem Xhafa u shpreh ditën e djeshme se ISKK është kthyer në institucionin e turpit, ku theksoi se për krimet e kohës së komunizmit nuk është përmendur në asnjë deklaratë ndërkombëtare.
Në një reagim për gazetën “SOT”, Xhafa deklaroi se dorëheqja e Agron Tufës e kthehu akoma dhe më keq ISKK. “Së pari, ju them juve dhe opinionit publik shqiptar se ky është Instituti i Turpit të Popullit Shqiptar, jo Instituti i Studimeve për Krimet e Pasojat e Komunizmit! Se komunizmi nuk ka bërë krime, po përkundrazi, ka sjellë dobi e pasoja të dobishme për masat popullore shqiptare. OK, jo për borgjezinë! Sigurisht, shteti socialist a komunist shqiptar i ka dënuar kriminelët, ata që kanë bërë krime kundër vendit, rendit e popullit dhe ka vepruar drejt, duke respektuar ligjin! Nëse doni, shihni me vëmendje Deklaratën e Asamblesë se Përgjithshme të BE dhe do të gjeni në të se Shqipëria nuk përmendet për krime të komunizmit. Ndaj ku i gjetën horrat e borgjezisë shqiptare krimet e komunizmit? Ky Institut është i zi, po “fytyrën” e zezë të tij e plotësoi duke e bërë edhe më kriminale “arratisja” e drejtorit Tufa”, tha ai.
Glorifikimi i vrasjes së heronjve
Më tej në reagimin e tij për gazetën, Muharrem Xhafa deklaroi se ISKK vijon të ekzistojë për të glorifikuar vrasjen e heronjve dhe dëshmorëve të atdheut. “Palo Instituti për të cilin pyesni është ngritur kur në pushtet ishte Berisha; vijoi e vijon me Ramën, mund të vijojë nesër me Ramën a ndonjë tjetër për të glorifikuar vrasësit e heronjve dhe dëshmorëve të Atdheut, në shërbim të shtetit borgjez e kundër popullit. Së treti, Instituti i Studimeve të Krimeve e Pasojave të Komunizmit as nuk duhet të kishte ekzistuar, as nuk duhet të ekzistojë më asnjë ditë, sepse në Shqipëri nuk ka krime të komunizmit, po ka vepra në shërbim të popullit. Pyeteni popullin, a e do populli këtë Institut gjakpirës? Ok, ketë Institut e do borgjezia reaksionare”, tha Xhafa.
Reagon Preng Çuni
Por kundër ISKK doli edhe kreu i Partisë Komuniste të Shqipërisë 8 Nëntori, Preng Çuni. Në një reagim për gazetën “SOT”, Çuni deklaroi se kreu i ri i këtij institucioni Çelo Hoxha është i njëjtë me paraardhësin e tij, Agron Tufa. Sipas tij edhe Hoxha do të përfundojë si eksperiment në krye të ISKK. “Deri dje ishte në krye një neoballist i kamufluar, i cili fluturonte si zog i shkëputur nga “Tufa” e harabelave të trembur para një grimce buke të mykur. Tashmë ky zog iku përfundimisht nga “tufa” për t’i tretur kockat atje në Perëndim, si dikur myteberet e tij paraardhës, të cilët mbeten si ushqim për korbat e qarqeve antishqiptare. Ky farë trimi që i shpalli luftë “komunistëve apo komunizmit” nuk mundi dot t’i rezistojë kësaj beteje donkishoteske dhe përfundoi në azil, për të shpëtuar jo nga komunistët, por nga abuzimet, mashtrimin e shpërdorimet që ai në fakt kishte bërë me detyrën. Dhe ja tani na vjen një tjetër “trim” jo nga ata të malit, por nga ata të fushës. Edhe ky do t’i futet me siguri në të njëjtën betejë duke përfunduar edhe ky si “kavie eksperimentale””, tha Preng Çuni në reagimin e tij për gazetën.
/a.r