Prokuroria për Krime të Rënda ka vendosur masën e sekuestros preventive për 2.1 milionë metra katrorë tokë pyll, tokë arë dhe tokë truall në zonën turistike në Fier, përfshirë edhe 1700 metra katrorë ndërtesë, si edhe për 3 shoqëri private, të gjitha në emër të shtetasit Fatmir Kajolli ose familjarëve të tij, pasi ka dyshime të arsyeshme se këto pasuri janë krijuar në bazë të aktivitetit kriminal të tij, për të cilin ai është dënuar në Itali.
Prokuroria për Krime të Rënda ka kryer verifikimet në bazë të ligjit “Antimafia”, nisur nga referimi i Policisë së Shtetit, dhe ka marrë lejen nga Gjykata për Krime të Rënda për të vendosur sekuestron në pasuritë e paluajtshme, si edhe shoqëritë private të regjistruara në emër të shtetasit Fatmir Kajolli, Majlinda Çuko (Kajolli) dhe Florim Kajolli.
Shtetasi Fatmir Kajolli është dënuar nga Gjykata e Milanos, në Itali, në vitin 2001, me 24 vite burg për veprat penale të “Shoqatë kriminale, trafikim, prodhim dhe posedim të lëndëve narkotike”. Po ashtu, ndaj tij, Gjykata e Romës, po në Itali, në vitin 2000, ka vendosur dënimin me 16 vite burg për veprat penale të “Pjesëmarrjes në organizatë kriminale dhe shkeljet të ligjit për narkotikët”. Kërkesa e autoriteteve italiane për ekstradimin e shtetasit Kajolli nuk u pranua nga ana e gjykatës.
Në bazë të vendimeve gjyqësore italiane, shtetasi Kajolli ka kryer veprimtarinë, për të cilën ka marrë dy dënime të ndryshme, gjatë periudhës 2000-2001.
Në përfundim të veprimeve proceduriale, në kuadër të hetimit pasuror, ku u përfshinë rreth 20 persona, vetë subjekti kryesor dhe të afërm të tij, Prokuroria për Krime të Rënda ka identifikuar pasuri, për të cilat ka dyshime të arsyeshme se janë krijuar nga të ardhura të aktivitetit kriminal të shtetasit Kajolli. Këto pasuri dyshohet se janë krijuar në bazë të veprime fiktive shit-blerje ose dhurimi. Nga hetimi, kanë rezultuar dyshime të arsyeshme se personat që kanë në pronësi këto pasuri, nuk kanë pasur mundësi reale financiare për t’i krijuar ato. Pjesa më e madhe e pasurive të paluajtshme janë regjistruar në emër të shtetases Majlinda Çuko (Kajolli).
Në mënyrë më të detajuar, Prokuroria për Krime të Rënda ka vendosur sekuestron preventive për pasuritë si më poshtë:
- Tokë truall me sipërfaqe 4500 m2 dhe ndërtesë me sipërfaqe 1700 m2, shitur nga Fatmir Kajolli shtetases Majlinda Çuko (Kajolli) në vlerën 900 mijë lekë
- Tokë pyll, me sipërfaqe 365.000 m2, blerë nga shtetasja Majlinda Çuko (Kajolli) me vlerë 60 milionë lekë (të reja)
- Tokë pyll, në 5 parcela, me sipërfaqe totale 576.770 m2, të regjistruara në emër të Majlinda Çuko (Kajolli), e gjithë sipërfaqja e dhuruar me kontrata të dyshimta dhurimi nga të njëjtët persona
- Tokë pa fryt, në 8 parcela, me sipërfaqe totale 177.600 m2, të regjistruara në emër të Majlinda Çuko (Kajolli), e gjithë sipërfaqja e dhuruar me kontrata të dyshimta dhurimi nga të njëjtët persona që kanë dhuruar edhe pasuritë e tjera
- Tokë arë, në 4 parcela, me sipërfaqe totale 138.400 m2, të regjistruara në emër të Majlinda Çuko (Kajolli), e gjithë sipërfaqja e dhuruar me kontrata të dyshimta dhurimi nga të njëjtët persona që kanë dhuruar edhe pasuritë e tjera.
- Tokë Joproduktive, me sipërfaqe 840.000 m2, e regjistruar në emër të Majlinda Çuko (Kajolli), e gjithë sipërfaqja e dhuruar me kontrata të dyshimta dhurimi nga të njëjtët persona që kanë dhuruar edhe pasuritë e tjera.
Gjithashtu, Prokuroria për Krime të Rënda ka vendosur sekuestro preventive edhe për shoqëritë tregtare, si më poshtë
- Shoqëria “CITADELLA”, Fier, regjistruar në emër të shtetases Majlinda Çuko (Kajolli), me aktivitet “Prodhime materiale ndërtimi, ndërtime të ndryshme, import-eksport, etj. Rritje, zënie dhe tregtim peshku”.
- Shoqëria “ABA 2001”, Fier, regjistruar në emër të shtetases Majlinda Çuko (Kajolli), me aktivitet “Veprimtari private në fushën e pastrimit, dhe riciklimit të mbetjeve urbane. Si edhe Transport udhëtarësh brenda vendit”.
- Shoqëria “International Parking 2011”, Fier, regjistruar në emër të shtetasit Florim Kajolli, me aktivitet “Veprimtari shërbimi, mbikqyrje dhe administrimi parkingu publik, si edhe bar-restorant-lavazh”.